Zyrtarët irakianë kanë filluar zhvarrosjen e asaj që konsiderohet si një varrezë masive e lënë nga grupi ekstremist Shteti Islamik gjatë fushatës së tij në gjithë vendin dhjetë vjet më parë.
Autoritetet lokale po bashkëpunojnë me gjyqësorin, hetimet forenzike, Fondacionin e Dëshmorëve të Irakut dhe administratën për varrezat masive për të kryer zhvarrosjen në vendin e gropës në al-Khafsa, në jug të qytetit verior të Mosulit, raportoi të dielën agjencia shtetërore e lajmeve irakiane.
Ahmad Qusay al-Asady, drejtuesi i departamentit për zhvarrosjen e varrezave masive në Fondacionin e Dëshmorëve, tha për Associated Press se ekipi i tij filloi punën në Khasfa më 9 gusht me kërkesë të guvernatorit të provincës Nineve, Abdulqadir al-Dakhil.
Operacioni fillimisht është i kufizuar në mbledhjen e mbetjeve njerëzore të dukshme dhe provave sipërfaqësore, ndërsa bëhen përgatitjet për një ekshumim të plotë, i cili, sipas zyrtarëve, do të kërkojë mbështetje ndërkombëtare.
Pas 15 ditëve të para të punës, ekipet e fondacionit në Mosul do të ndërtojnë një bazë të dhënash dhe do të fillojnë të mbledhin mostra ADN-je nga familjet e viktimave të mundshme.
Al-Asady shpjegoi se përpunimi laboratorik dhe baza e të dhënave të ADN-së duhet të jenë hapi i parë për të siguruar identifikim të saktë. Ekshumimet e plota mund të vazhdojnë vetëm pasi të sigurohet ndihmë e specializuar për të përballuar rreziqet e vendit, duke përfshirë ujin sulfurik dhe mjetet shpërthyese të paeksploduara.
“Khasfa është një vend shumë i ndërlikuar”, tha ai.
Bazuar në dëshmi të pakonfirmuara të dëshmitarëve dhe familjeve si dhe burimeve të tjera jozyrtare, autoritetet vlerësojnë se atje mund të jenë varrosur mijëra trupa.
Dhjetëra varreza masive me mijëra trupa të njerëzve që besohet se u vranë nga grupi ekstremist janë gjetur në Irak dhe Siri.
Në kulmin e saj, ISIS kontrollonte një territor sa gjysma e Mbretërisë së Bashkuar në Irak dhe Siri dhe njihej për brutalitetin e tij. Ai u priste kokën civilëve dhe skllavëronte e përdhunonte mijëra gra nga komuniteti jezid, një nga pakicat fetare më të vjetra në Irak.
Grupi u mund në Irak në korrik 2017, kur forcat irakiane morën qytetin verior Mosul. Tre muaj më vonë, pësoi një goditje të rëndë kur forcat kurde morën qytetin verior sirian Raqqa, që ishte de facto kryeqyteti i grupit. Lufta kundër ISIS përfundoi zyrtarisht në mars 2019, kur Forcat Demokratike Siriane, të mbështetura nga SHBA dhe të udhëhequra nga kurdët, morën qytetin lindor sirian Baghouz, i cili ishte copëza e fundit e tokës që kontrollonin ekstremistët.
Rabah Nouri Attiyah, një avokat që ka punuar në mbi 70 raste të personave të zhdukur në Nineve, tha për AP se informacionet që ka marrë nga fondacioni dhe gjykatat e ndryshme irakiane gjatë hetimeve të tij tregojnë Khasfën si “varrezën masive më të madhe në historinë moderne të Irakut”.
Megjithatë, Al-Asady tha se hetuesit “ende nuk mund të konfirmojnë nëse është varreza më e madhe masive” e gjetur në Irak, “por sipas madhësisë së hapësirës, vlerësojmë se është një nga më të mëdhatë”.
Attiyah tha se besohet se rreth 70 për qind e mbetjeve njerëzore në Khasfa i përkasin personelit ushtarak dhe policor irakian, ndërsa viktimat e tjera përfshijnë edhe jezidë.
Ai tha se ka intervistuar shumë dëshmitarë nga ai rajon që panë luftëtarët e ISIS-it duke sjellë njerëz me autobusë dhe duke i ekzekutuar. “Shumicës prej tyre u është prerë koka”, tha ai.
Xhaxhai dhe kushëriri i Attiyah ishin policë të cilët u vranë nga ISIS, dhe ai është mes atyre që shpresojnë të identifikojnë e të gjejnë mbetjet e të dashurve të tyre.
Dëshmitë dhe deklaratat e dëshmitarëve, si dhe gjetjet nga varreza të tjera masive në Nineve, tregojnë se pritet që shumica e personelit ushtarak, policor dhe forcave të tjera të sigurisë që u vranë nga ISIS, të gjenden në Khasfa, së bashku me jezidë nga Sinxhari dhe viktima shiite nga Tal Afari, tha ai.