Klasifikimi i Fazës së Integruar të Sigurisë Ushqimore (IPC), një sistem global i monitorimit të urisë, paralajmëroi se në Gaza po zhvillohet “skenari më i keq i urisë” mes konfliktit të intensifikuar, zhvendosjes dhe qasjes së dobët në ushqim, transmeton Anadolu.
“Provat në rritje tregojnë se uria e përhapur, kequshqyerja dhe sëmundjet po nxisin një rritje të vdekjeve të lidhura me urinë”, tha IPC në një raport të ri.
“Të dhënat e fundit tregojnë se pragjet e urisë janë arritur për konsumin e ushqimit në pjesën më të madhe të Rripit të Gazës dhe për kequshqyerjen akute në Qytetin e Gazës”, thuhet në raport.
Duke theksuar se kequshqyerja është rritur me shpejtësi në gjysmën e parë të korrikut, raporti zbuloi se mbi 20.000 fëmijë janë shtruar për trajtim për kequshqyerje akute midis prillit dhe mesit të korrikut, me më shumë se 3.000 të kequshqyer rëndë.
Spitalet kanë raportuar një rritje të shpejtë të vdekjeve të lidhura me urinë e fëmijëve nën 5-vjeç, me të paktën 16 vdekje të raportuara që nga 17 korriku, shtoi raporti.
“Duhet të merren masa të menjëhershme për t’i dhënë fund armiqësive dhe për të lejuar një përgjigje humanitare të papenguar, në shkallë të gjerë dhe shpëtimtare jetësh. Kjo është e vetmja rrugë për të ndaluar vdekjet e mëtejshme dhe vuajtjet katastrofike njerëzore”, tha IPC.
Thuhet qasja e njerëzve në ushqim në të gjithë Gazën është “tani alarmuese dhe jashtëzakonisht e paqëndrueshme”, pasi që nga 27 maji, mbi 1.000 njerëz janë vrarë ndërsa përpiqen të kenë qasje në ushqim.
Lidhur me pretendimet e mekanizmit të ndihmës izraelite, Fondacionit Humanitar të Gazës (GHF), për shpërndarjen e 89 milionë vakteve, raporti i IPC-së argumentoi se këto pika të ndihmës janë të vendosura në zona të militarizuara përgjatë kufirit Khan Younis-Rafah.
– 1 në 3 persona mbetet pa ushqim për ditë të tëra
Konsumi i ushqimit është “përkeqësuar ndjeshëm, me 1 në 3 individë që qëndrojnë pa ushqim për ditë të tëra”, paralajmëroi raporti i IPC-së. Midis majit dhe korrikut, përqindja e familjeve që përjetojnë uri ekstreme është “dyfishuar”.
Gjithashtu tërhiqet vëmendje për ngushtimin e hapësirës së sigurt për banorët e Gazës, duke thënë se 88 për qind e Gazës është nën zona të militarizuara ose urdhra zhvendosjeje, duke lënë më pak se 12 për qind të territorit si një hapësirë të sigurt.
Për më tepër, dy të pestat e grave shtatzëna dhe atyre që ushqejnë me gji ishin kequshqyer në mënyrë akute në qershor, tha raporti.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës, të paktën 147 njerëz kanë vdekur nga uria që nga tetori 2023, përfshirë 88 fëmijë.