Inteligjenca amerikane konfirmoi se presidenti iranian u plagos në një sulm izraelit

Presidenti iranian, Masoud Pezeshkian u plagos gjatë një prej sulmeve izraelite ndaj Iranit muajin e kaluar.

Burimet thanë për CBS News se raportet e mediave shtetërore iraniane janë të sakta, dhe se Pezeshkian ishte i pranishëm në një takim të Këshillit të Lartë të Sigurisë Kombëtare kur ndodhi sulmi izraelit. Mediat shtetërore raportuan se ai mori lëndime në këmbë ndërsa po ikte përmes një daljeje sigurie.

Mbetet e paqartë nëse ai ishte synuar qëllimisht në këtë sulm.

Gjatë një interviste me Tucker Carlson më herët këtë muaj, Pezeshkian pretendoi se Izraeli kishte tentuar ta vriste duke bombarduar zonën ku po mbahej takimi.

Kur u pyet nëse besonte se Izraeli kishte tentuar ta vriste, Pezeshkian u përgjigj se “po, u përpoqën. Vepruan në përputhje me këtë, por nuk arritën”.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk qëndronin pas tentativës për atentat ndaj meje. Ishte Izraeli. Unë isha në takim. Diskutuam për mënyrat e përparimit. Megjithatë, falë të dhënave të inteligjencës nga spiunët që kishin, u përpoqën të bombardonin zonën ku po mbahej ai takim,” tha ai në intervistë, e cila u përkthe nga persishtja.

Pezeshkian nuk sqaroi datën e saktë të sulmit. Shtëpia e Bardhë nuk komentoi raportet, as qeveria izraelite. Një zyrtar iranian refuzoi të komentojë.

Në konfliktin 12-ditor midis Izraelit dhe Iranit u vranë qindra njerëz në Iran dhe 28 në Izrael. Të dyja palët shpallën fitore pas armëpushimit që ndërmjetësoi administrata e Trump.

Disa nga komandantët iranianë u vranë në konflikt, përfshirë kreun e Gardës Revolucionare, gjeneralin Hossein Salami, dhe kreun e programit të raketave balistike të Gardës, gjeneralin Amir Ali Hajizadeh.

Kategoritë
BotaLajme