Institucionet shtetërore ndërmarrin hapin e parë drejt themelimit të Xhandarmërisë së Kosovës

“Xhandarmëria e Republikës së Kosovës do të forcojë ndjeshëm kapacitetin shtetëror për parandalim, menaxhim dhe neutralizim të kërcënimeve”, tha ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Institucionet e Kosovës kanë ndërmarrë hapin e parë drejt themelimit të Xhandarmërisë së Republikës së Kosovës.

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla bëri të ditur se ka nënshkruar themelimin e grupit punues që do të merret me analizimin dhe propozimin e modaliteteve për funksionimin e këtij institucioni të ri të sigurisë i cili do të funksionojë si Agjenci e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

“Xhandarmëria përfaqëson një hap të rëndësishëm në konsolidimin e arkitekturës sonë të sigurisë, me mision të qartë për të garantuar prezencë të fuqishme shtetërore në funksion të ruajtjes së kufijve, integritetit dhe sovranitetit tonë territorial, mbrojtjen nga terrorizmi, menaxhimin e trazirave me rrezikshmëri të lartë dhe mbrojtjen e infrastrukturës kritike”, theksoi Sveçla.

Ai shtoi se Xhandarmëria e Republikës së Kosovës do të forcojë ndjeshëm kapacitetin shtetëror për parandalim, menaxhim dhe neutralizim të kërcënimeve që cenojnë sigurinë e qytetarëve dhe integritetin territorial të vendit.

Kategoritë
BotaLajme