“Ky nuk është një evakuim, por vetëm për trajtim mjekësor. Ata do të kthehen në Gaza pasi të jenë shëruar. Ne nuk po i largojmë ata nga Gaza”, tha zëdhënësi i Zyrës presidenciale, Hasan Nasbi
Indonezia po planifikon të ngrejë një objekt mjekësor në ishullin e saj Galang, aktualisht të pabanuar, për të trajtuar mijëra të plagosur nga Rripi i Gazës, transmeton Anadolu.
Siç raporton e përditshmja “Jakarta Globe”, zëdhënësi i Zyrës presidenciale, Hasan Nasbi tha se rreth 2 mijë banorët e Gazës që do të sillen në këtë objekt do të përfshijnë anëtarë të familjeve të të plagosurve.
Presidenti indonezian, Prabowo Subianto udhëzoi ministrin e Mbrojtjes dhe atë të Jashtëm të punojnë mbi detajet për ngritjen e objektit gjatë një takimi të kabinetit së fundmi.
Prabowo, siç tha Nasbi, ka “dhënë udhëzime që Indonezia të ofrojë ndihmë mjekësore për rreth 2 mijë banorë të Gazës që janë viktima të luftës, përfshirë ata të plagosur nga bombat ose rrënojat si dhe anëtarët e familjeve të tyre”.
“Ne synojmë të ngremë qendrën e trajtimit mjekësor në ishullin Galang sepse ishulli tashmë ka një spital si dhe objektet mbështetëse”, tha ai. Në të kaluarën, ishulli Galang, pjesë e provincës perëndimore të Ishujve Riau, ka strehuar pacientë dhe refugjatë me COVID-19.
Midis viteve 1979 dhe 1996, refugjatët vietnamezë u strehuan në ishull për t’i shpëtuar konfliktit në vendin e tyre.
“Ky nuk është një evakuim, por vetëm për trajtim mjekësor. Ata do të kthehen në Gaza pasi të jenë shëruar. Ne nuk po i largojmë ata (nga Gaza), por ky është një operacion humanitar për të ndihmuar sa më shumë njerëz që mundemi”, tha Nasbi.
Indonezia, vendi me popullsinë më të madhe muslimane, gjithashtu synon të vendosë paqeruajtës në Rripin e Gazës sapo të arrihet një armëpushim.
Izraeli është përballur me zemërim në rritje për luftën shkatërruese në Gaza, ku më shumë se 61.200 palestinezë janë vrarë që nga tetori i vitit 2023. Fushata ushtarake e ka shkatërruar enklavën dhe e ka çuar atë në prag të urisë.
Nëntorin e vitit të kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP) lëshoi urdhërarreste ndaj kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli gjithashtu përballet me një padi gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) për luftën në enklavën palestineze.