India ka pezulluar planet për të blerë armë dhe aeropalnë të rinj amerikanë, sipas tre zyrtarëve indianë të njohur me çështjen, në shenjën e parë konkrete të pakënaqësisë së Indisë pasi tarifat e vendosura mbi eksportet e saj nga presidenti Donald Trump i çuan marrëdhëniet në nivelin e tyre më të ulët në dekada.
India kishte planifikuar të dërgonte Ministrin e Mbrojtjes Rajnath Singh në Uashington në javët e ardhshme për një njoftim mbi disa nga blerjet, por ky udhëtim është anuluar.
Bëhet e ditur se Trump më 6 gusht vendosi një tarifë shtesë prej 25% për mallrat indiane si ndëshkim për blerjet e naftës ruse nga Delhi, të cilat ai tha se nënkuptonin se vendi po financonte pushtimin e Ukrainës nga Rusia.
Kjo e rriti tarifën totale mbi eksportet indiane në 50% – ndër më të lartat nga çdo partner tregtar i SHBA-së.
Presidenti ka një histori të tërheqjes së shpejtë të tarifave dhe India ka thënë se mbetet aktive në diskutime me Uashingtonin, shkruan BBC.
Një nga personat tha se blerjet e mbrojtjes mund të vazhdojnë sapo India të ketë qartësi mbi tarifat dhe drejtimin e lidhjeve dypalëshe, por “thjesht jo aq shpejt sa pritej”.
Një zyrtar tjetër tha se nuk ishin dhënë udhëzime me shkrim për të ndërprerë blerjet, duke treguar se Delhi kishte mundësinë të ndryshonte shpejt kursin, megjithëse “nuk kishte asnjë lëvizje, të paktën për momentin”.
Pas publikimit të këtij lajmi, qeveria e Indisë lëshoi një deklaratë që ia atribuoi një burimi të Ministrisë së Mbrojtjes duke i përshkruar raportet e lajmeve për një ndërprerje të bisedimeve si “të rreme dhe të fabrikuara”.
Deklarata tha gjithashtu se prokurimi po përparonte sipas “procedurave ekzistuese”.
Reuters raporton se diskutimet mbi blerjet e Indisë të automjeteve luftarake Stryker të prodhuara nga General Dynamics Land Systems dhe raketave antitank Javelin të zhvilluara nga Raytheon dhe Lockheed Martin, janë ndërprerë për shkak të tarifave.
Trump dhe kryeministri indian Narendra Modi kishin njoftuar në shkurt planet për të ndjekur prokurimin dhe prodhimin e përbashkët të këtyre artikujve.