I sulmoi mediat për Exit-Pollet, AGK i reagon Pecit e VV’së: Sulme të ulëta e të papranueshme, tërhiqni akuzat

Ditën e djeshme Faton Peci, përmes një postimi ka sulmuar mediat lidhur me Exit Pollet për zgjedhjet lokale të 12 tetorit.

Për këtë ka reaguar Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës. Nga këta të fundit, deklarimet e Pecit përbejnë ‘’fushatë të rëndë intimiduese’’, dhe se, ato janë ‘’sulme të ulëta dhe të papranueshme’’.

Tutje, nga AGK është kërkuar nga Peci dhe Vetëvendosja që të tërheqin akuzat publike, pasi që ato shërbejnë si nxitje për sulme të vazhdueshme.

Postimi:

Fushatë e rëndë intimiduese e Faton Pecit kundër TV Dukagjini

Kandidati i partisë politike Vetëvendosje për komunën e Mitrovicës Jugore, Faton Peci ka vazhduar sulmet e ulëta dhe të papranueshme kundër TV Dukagjinit, nëpërmjet një postimi në rrjetet e tij sociale.

Duke iu kthyer Exit-Pollit të 12 tetorit, Peci e ka quajtur mes tjerash TV Dukagjinin si “qendra operative e ndërmarrjes kriminale”.

AGK-ja e konsideron komunikimin e Pecit si thellësisht të papërgjegjshëm, dhe akuzë me potencial shumë të rrezikshëm. Është e papranueshme që një politikan si zoti Peci të japë kualifikime kaq të rënda për një media, në kuadër të betejës politike të tij dhe partisë politike që përfaqëson.

AGK-ja kërkon nga zoti Peci dhe Vetëvendosje që urgjentisht të tërheqin akuzat publike ndaj televizionit dhe gazetarëve, pasi që ato shërbejnë si nxitje për sulme të vazhdueshme ndaj tyre.

Ambienti i mediave për të bërë punën e tyre është vështirësuar shumë, për shkak të retorikës së papranueshme si kjo e zotit Peci.

Mediat duhet të lihen të lira të raportojnë në të gjitha fazat e procesit zgjedhor.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi