– Vizita në qendrën kontroverse të ndihmave në Rafah vjen mes reagimeve në rritje për vdekjet nga uria dhe bllokadën e ndihmës humanitare nga Izraeli
I dërguari i posaçëm amerikan, Steve Witkoff, mbërriti sot në një qendër ndihmash të operuar nga Fondacioni Humanitar i Gazës (GHF), një organizatë e diskutueshme, në veri të qytetit Rafah në jug të Rripit të Gazës, sipas mediave izraelite, transmeton Anadolu.
Sipas Kanalit 12 të Izraelit dhe transmetuesit publik KAN, autokolona e Witkoffit hyri në zonë në mëngjes dhe vizitoi pikën, e cila është në qendër të polemikave për rolin e saj në shpërndarjen dhe pengimin e ndihmave, si dhe për vdekjen e qindra palestinezëve duke kërkuar ndihmë.
Vizita vjen mes kritikave në rritje ndaj koordinimit SHBA-Izrael në Gaza, veçanërisht në lidhje me modelin e shpërndarjes së ndihmave të kësaj organizate, që palestinezët e konsiderojnë si një mjet zhvendosjeje nën maskën e ndihmës humanitare, si dhe si “kurth vdekjeje” për shumë kërkues ndihme, me mbi 1.300 të vrarë që nga maji ndërsa prisnin ndihma ushqimore.
Witkoff mbërriti në Izrael të enjten për një vizitë të paparalajmëruar që përfshiu edhe një takim me kryeministrin Benjamin Netanyahu. Të dy diskutuan për mundësinë e kalimit nga bisedimet “e pjesshme dhe me faza” drejt një “marrëveshjeje gjithëpërfshirëse” për Gazën, pas tërheqjes së fundit të Izraelit nga negociatat për armëpushim në Katar.
Duke folur të enjten, Sekretarja për Shtyp e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, tha se Witkoff do të “vizitojë pikat e shpërndarjes dhe do të sigurojë një plan për të ofruar më shumë ushqim, dhe do të takohet me banorë të Gazës për të dëgjuar drejtpërdrejt për situatën e rëndë në terren”.
– “Manovër propagandistike”
Hamasi të enjten e dënoi vizitën, duke e quajtur “manovër propagandistike” që synon të largojë vëmendjen nga zemërimi global për atë që organizatat për të drejtat e njeriut dhe zyrtarët e OKB-së e përshkruajnë si fushatë sistematike të urisë nga ana e Izraelit.
Që nga 7 tetori 2023, të paktën 154 palestinezë, përfshirë 89 fëmijë, kanë vdekur nga shkaqe të lidhura me urinë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës.
Zyrtarët palestinezë thonë se mekanizmi i Fondacionit Humanitar të Gazës, aktiv që nga 27 maji me mbështetje izraelite, ka rezultuar në pritë vdekjeprurëse në radhët për ushqim, me të paktën 1.330 të vrarë dhe mbi 8.800 të plagosur nga zjarri izraelit gjatë shpërndarjes së ndihmave.
Duke refuzuar thirrjet ndërkombëtare për armëpushim, ushtria izraelite ka kryer një ofensivë brutale në Gaza që nga 7 tetori 2023, duke vrarë mbi 60 mijë palestinezë, shumica gra dhe fëmijë. Bombardimet e pandërprera kanë shkatërruar enklavën dhe kanë shkaktuar mungesë të thellë ushqimi.
Në nëntor të vitit të kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP) lëshoi urdhra arresti për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e tij të Mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli gjithashtu përballet me padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) për luftën e tij ndaj enklavës palestineze.