I dërguari special i presidentit amerikan Donald Trump për Ukrainën dhe Rusinë, gjenerali në pension Keith Kellogg, mbërriti të hënën në Kiev, konfirmoi një zyrtar i lartë ukrainas për AP News.
Kjo vizitë vjen ndërsa rritet pritshmëria për ndryshime të mundshme në politikën e administratës Trump ndaj luftës që po zgjat mbi tre vjet.
Trump javën e kaluar njoftoi se të hënën do të bëjë një “deklaratë të madhe” për Rusinë. Ndërprerja e shpejtë dhe efektive e luftës është bërë një nga prioritetet e tij diplomatike, dhe ai shpesh shpreh frustrimin për qëndrimin e palëkundur të presidentit rus Vladimir Putin.
“Putin flet bukur, e pastaj bombardon gjithçka,” tha Trump të dielën në mbrëmje, duke konfirmuar se SHBA-ja do t’i dërgojë Ukrainës raketa Patriots kundërajrore, hardware i domosdoshëm për t’u mbrojtur nga sulmet gjithnjë e më intensive ajrore ruse.
Aleati i ngushtë i Trumpit, senatori republikan nga Karolina e Jugut Lindsey Graham, deklaroi të dielën se konflikti po afrohet drejt një pike kyçe, pasi Trump tregon interes në rritje për t’i ndihmuar ukrainasit në luftën kundër pushtimit total rus.
Ky është objektiv që Trump më parë e përjashtonte si shpenzim të kotë të fondeve të taksapaguesve amerikanë.
Gjithashtu, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, do të qëndrojë në Uashington të hënën dhe të martën. Ai pritet të zhvillojë bisedime me Trumpin, sekretarin e Shtetit Marco Rubio, ministrin e Mbrojtjes Pete Hegseth, si dhe me anëtarë të Kongresit.
Bisedimet gjatë vizitës së Kelloggi-t në Kiev do të përfshijnë “mbrojtjen, përforcimin e sigurisë, armët, sanksionet, mbrojtjen e popullit tonë dhe avancimin e bashkëpunimit mes Ukrainës dhe SHBA-së,” tha kreu i Zyrës së Presidentit të Ukrainës, Andrij Jermak.
“Rusia nuk dëshiron armëpushim. Paqja përmes fuqisë është parimi i presidentit Donald Trump, dhe ne mbështesim këtë qasje,” përfundoi Jermak.