I dërguari amerikan takohet me presidentin libanez për të diskutuar çarmatimin e Hezbollahut

Tom Barrack dhe Joseph Aoun diskutojnë mbi zbatimin e vendimit të qeverisë libaneze për të mbledhur të gjitha armët nën kontrollin e shtetit, sipas mediave lokale

I dërguari special i SHBA-së për Sirinë, Tom Barrack, u takua me Presidentin libanez, Joseph Aoun, në kryeqytetin e Libanit, Bejrut, transmeton Anadolu.

Agjencia shtetërore e lajmeve NNA tha se një delegacion shoqërues amerikan iu bashkua gjithashtu takimit.

Barrack, i cili shërben gjithashtu si ambasador i SHBA-së në Turqi, mbërriti në Bejrut sot për t’u takuar me Aoun dhe zyrtarë të tjerë të lartë për të diskutuar çarmatimin e grupeve jo-shtetërore në Liban, kryesisht Hezbollahut.

Më 5 gusht, qeveria libaneze miratoi një plan për të konsoliduar të gjitha armët nën kontrollin e shtetit. Qeveria i ngarkoi ushtrisë hartimin e një plani për ta arritur këtë deri në fund të muajit dhe zbatimin e tij para fundit të vitit 2025. Hezbollahu e hodhi poshtë vendimin, duke e quajtur atë një “mëkat të rëndë”.

Zyra e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, tha të hënën se Tel Avivi do të zvogëlojë praninë e tij ushtarake në Libanin jugor nëse Bejruti “ndërmerr hapat e nevojshëm për të zbatuar çarmatimin e Hezbollahut”.

Izraeli nisi një ofensivë ushtarake në Liban më 8 tetor 2023, e cila u përshkallëzua në një luftë në shkallë të plotë deri në shtator 2024, duke vrarë më shumë se 4.000 njerëz dhe duke plagosur rreth 17.000 të tjerë.

Një armëpushim u arrit në nëntor, por forcat izraelite kanë kryer sulme pothuajse të përditshme në Libanin jugor, duke pretenduar se kanë në shënjestër aktivitetet e Hezbollahut.

Sipas armëpushimit, Izraeli duhej të tërhiqej plotësisht nga Libani jugor deri më 26 janar, por afati u zgjat deri më 18 shkurt pasi Tel Avivi refuzoi ta zbatonte. Izraeli ende mban një prani ushtarake në pesë pika kufitare.

Kategoritë
BotaLajme