Tarifat e reja gjithëpërfshirëse të presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për më shumë se 90 vende anembanë botës tashmë kanë hyrë në fuqi.
Dhe ndër vendet e prekura, janë edhe Kosova dhe vende të tjera të rajonit.
Kështu, produktet nga Kosova që mësyjnë tregun amerikan, prej sot (7 gusht) do të përballen me tarifë prej 10 për qind, përcjell Telegrafi.
Kujtojmë se pak ditë më parë, Kosova ka hequr tarifën doganore prej 10 për qind për produktet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA).
Por nuk janë vetëm produktet nga Kosova ato që do të përballen me tarifa të tilla amerikane pasi me të njëjtën tarifë do të përballen edhe produktet nga Shqipëria dhe Mali i Zi.
Ndërkohë, edhe produktet nga Kroacia, Sllovenia dhe Maqedonia e Veriut do të përballen me 15 për qind.
Ndërsa sipas të dhënave, për produktet në Serbi ato arrijnë në 35 për qind dhe për ato nga Bosnja dhe Hercegovina në 30 për qind.
Kujtojmë se pak para afatit të fundit për marrëveshjet që duhen arritur për të ulur ose shmangur taksat e importit, Trump tha se miliarda dollarë po hynin në SHBA për shkak të tarifave.
Ndërkohë Trump kërcënoi gjithashtu me një tarifë 100% për çipat kompjuterikë të prodhuar jashtë vendit, ndërsa i shtyn firmat e teknologjisë të investojnë në SHBA.