Lëvizja Huthi në Jemen ka liruar modelen dhe aktoren Entisar al-Hammadi (25), e cila kishte kaluar gati pesë vjet në burg nën akuzat për sjellje të pahijshme.
Lajmin e konfirmoi avokati i saj, Khaled al-Kamal. Al-Hammadi ishte arrestuar në shkurt të vitit 2021 në kryeqytetin Sana’a ndërsa po shkonte në një sesion fotografik.
Më pas ajo u dënua me pesë vjet burg nën akuzat për prostitucion, përdorim droge dhe amoralitet, akuza që avokati i saj dhe organizatat për të drejtat e njeriut i kanë përshkruar si të fabrikuara dhe të synuara për të shtypur liritë e grave.
Avokati al-Kamal tha se Al-Hammadi u lirua të shtunën nga burgu qendror në Sana’a dhe shtoi se ajo kishte vuajtur nga disa sëmundje dhe se shëndeti i saj ishte përkeqësuar gjatë qëndrimit në burg.
Para arrestimit, Al-Hammadi ndante shpesh në rrjetet sociale fotografi të saj në veshje tradicionale jemenase dhe në kombinime moderne, me dhe pa hixhab. Ajo kishte punuar si modele për katër vjet dhe ishte shfaqur në dy seriale televizive jemenase në vitin 2020. Në rrjetet sociale si Instagram dhe Facebook kishte mijëra ndjekës.
Amnesty International njoftoi se pas arrestimit, Al-Hammadi ishte “marrë në pyetje me sy të lidhur, ishte keqtrajtuar fizikisht dhe verbalisht, ofenduar me shprehje raciste dhe detyruar të ‘pranojë’ disa krime – përfshirë posedimin e drogës dhe prostitucionin.”
Sipas Human Rights Watch, palët ndërluftuese në Jemen – përfshirë Huthët, qeverinë e njohur ndërkombëtarisht dhe Këshillin e Tranzicionit të Jugut – kanë kufizuar rëndë të drejtat e grave në zonat nën kontrollin e tyre.
Në një raport të marsit 2024, HRW theksonte se grave u ndalohej të udhëtonin midis provincave dhe, në disa raste, edhe të largoheshin nga vendi pa lejen e një kujdestari mashkull apo të një të afërmi të ngushtë mashkull.
Këto politika kanë ndikuar seriozisht në mundësinë e grave për të punuar, për t’u arsimuar, për të marrë kujdes shëndetësor dhe për të vizituar familjarët e tyre.




















