Ministri i Jashtëm i Hungarisë, Péter Szijjártó, ka shkruar në platformën X se prej mëngjesit të sotëm është ndërprerë sërish furnizimi me naftë nga Rusia për Hungarinë, i cili kalon përmes Ukrainës.
Sipas tij, “Ukraina ka sulmuar naftësjellësin”, duke cenuar kështu sigurinë energjetike të Hungarisë, e cila prej kohësh është ndër partnerët kryesorë të Rusisë nga vendet e Bashkimit Evropian.
“Zëvendësministri rus i Energjisë, Pavel Sorokin, më informoi se ekspertët po punojnë për riparimin e stacionit transformues që është kyç për funksionimin e naftësjellësit, por për momentin nuk mund të thuhet se kur do të rifillojnë furnizimet”, tha Szijjártó.
Gjatë vitit 2024 Rusia i kishte furnizuar Hungarisë 4.8 milionë tonë naftë, ndërsa gjatë tetë muajve të parë të vitit 2025 furnizimi ka kaluar mbi një milion tonë.
“Prej tre vitesh e gjysmë Brukseli dhe Kievi po përpiqen ta fusin Hungarinë në luftën në Ukrainë. Këto sulme të përsëritura ukrainase ndaj furnizimit tonë energjetik i shërbejnë të njëjtit qëllim. Le të jem i qartë, kjo nuk është lufta jonë. Ne s’kemi asnjë lidhje me të dhe për sa kohë jemi në pushtet, Hungaria do të qëndrojë jashtë saj”, deklaroi ai.
Megjithatë, shefi i diplomacisë hungareze ka kërcënuar me hakmarrje, duke theksuar rolin e madh të Hungarisë në furnizimin e Ukrainës me energji elektrike.
“Së fundmi, një kujtesë për vendimmarrësit ukrainas: energjia elektrike nga Hungaria luan rol kyç në furnizimin e vendit tuaj”, përfundoi Szijjártó.