– Ministri i Jashtëm holandez, Caspar Veldkamp tha se ministrat e ekstremit të djathtë të Izraelit, Ben-Gvir dhe Smotrich kanë nxitur vazhdimisht dhunë kundër popullit palestinez
Holanda ka shpallur “persona non grata” ministrin e Sigurisë Kombëtare të Izraelit, Itamar Ben-Gvir, të ekstremit të djathtë dhe ministrin e Financave, Bezalel Smotrich, dhe u ka ndaluar atyre hyrjen në vend, transmeton Anadolu.
Ministri i Jashtëm holandez, Caspar Veldkamp në një deklaratë me shkrim tha se ministrat e ekstremit të djathtë të Izraelit, Ben-Gvir dhe Smotrich kanë nxitur vazhdimisht dhunë kundër popullit palestinez, kanë mbështetur vazhdimisht zgjerimin e vendbanimeve të paligjshme dhe kanë bërë thirrje për spastrim etnik në Rripin e Gazës.
Ai vuri në dukje se për këtë arsye, ata i kanë shpallur dy ministrat e ekstremit të djathtë, Ben-Gvir dhe Smotrich, “persona non grata” dhe u kanë ndaluar hyrjen në vend.
“Situata e fundit në Gaza është e patolerueshme dhe e pambrojtshme”, tha Veldkamp dhe njoftoi se do të thërrasë në ministri edhe ambasadorin e Izraelit në Hagë.
Kryeministri holandez Dick Schoof tha dje në rrjetet sociale se do të mbështeste një sërë masash në nivel të Bashkimit Evropian (BE), përfshirë largimin e Izraelit nga programi “Horizon” i BE-së dhe nga zona tregtare, nëse Izraeli vazhdon të pengojë ndihmën humanitare për Gazën.