Kryediplomati izraelit Sa’ar tha se ndryshimi i pushtetit “hap një kapitull të ri” në marrëdhëniet dypalëshe dhe urdhëroi përgatitjet urgjente për krijimin e përfaqësisë diplomatike.
Pasi kabineti i ri i udhëhequr nga Janez Jansha mori detyrën në Slloveni, flamuri palestinez u hoq nga ndërtesa e qeverisë, ndërsa Izraeli njëkohësisht njoftoi hapjen e ambasadës së tij të parë në Lubjanë, transmeton Anadolu.
Ministri izraelit i Punëve të Jashtme, Gideon Sa’ar, tha se ndryshimi i pushtetit “hap një kapitull të ri” në marrëdhëniet dypalëshe dhe urdhëroi përgatitjet urgjente për krijimin e përfaqësisë diplomatike, gjë që ka intensifikuar më tej reagimet politike në vend.
“Pasi parlamenti slloven miratoi qeverinë e re të udhëhequr nga Janez Jansha, sonte shpalla vendimin për të hapur për herë të parë ambasadën izraelite në Lubjanë”, shkroi Sa’ar në rrjetin social amerikan X.
Ai tha se i ka kërkuar drejtorit të përgjithshëm të Ministrisë së Punëve të Jashtme, Eden Bar-Tal, të veprojë me shpejtësi dhe efikasitet për ngritjen e ambasadës së re dhe të nisë menjëherë procedurat për emërimin e ambasadorit.
“Janez Jansha është një mik i shquar i Izraelit dhe zgjedhja e tij krijon një mundësi unike për avancimin e marrëdhënieve dypalëshe, të cilat vitet e fundit kanë qenë në një pikë të ulët për shkak të qëndrimit armiqësor të qeverisë së mëparshme në Lubjanë”, shtoi ai.
Sa’ar gjithashtu tha se zgjedhja e Janshës si kryeministër “hap një kapitull të ri në marrëdhëniet mes Izraelit dhe Sllovenisë”. Ai kritikoi qeverinë e mëparshme të udhëhequr nga Robert Golob, i cili sot ia dorëzoi detyrën Janshës.
Pas hyrjes në detyrë të qeverisë së re, flamuri palestinez u hoq nga ndërtesa e qeverisë në Slloveni.
Agjencia STA raportoi se aktualisht në ndërtesë valëviten vetëm flamujt e Sllovenisë, Bashkimit Evropian (BE) dhe Ukrainës.
Ish-kryeministri slloven, Robert Golob, kritikoi heqjen e flamurit, duke theksuar se “akti i parë i qeverisë së re flet më shumë se një mijë fjalë”.
“Ja ku jemi. Sllovenia është pozicionuar në anën e turpshme të historisë”, deklaroi ai, duke shtuar se qeveria e re bëri betimin dhe hoqi flamurin pikërisht dy vjet pasi Sllovenia njohu shtetin e Palestinës, gjë që ai e quajti një “rastësi të trishtueshme”.
Golob tha se flamuri i ngritur në ndërtesën e qeverisë ishte “jo vetëm për palestinezët, por edhe për drejtësinë, dinjitetin, dhembshurinë, njerëzimin dhe paqen”.
Ai theksoi se qeveria e tij kishte ndjekur një qasje parimore, duke valëvitur njëkohësisht flamujt e Ukrainës dhe Palestinës, gjë që sipas tij tregonte se nuk kishte standarde të dyfishta.
Flamuri palestinez u ngrit simbolikisht në fund të majit të vitit 2024, kur qeveria e mëparshme i propozoi parlamentit njohjen e Palestinës si shtet të pavarur dhe sovran, gjë që u miratua më 4 qershor 2024.










