Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas deklaratës së ish-ambasadorit të Holandës në Kosovë, Robert Bosch, i cili ka thënë se Gjykata Speciale nuk është dashur të themelohej, andaj është mirë që po protestohet.
Haxhiu në reagimin e saj ka shkruar se ambasadori Bosch po e kundërshton me vonesë Gjykatën Speciale, transmeton Telegrafi.
“Shumë mirë që edhe ish Ambasadori Bosch po e kundërshton Gjykatën Speciale. Më kujtohet sikur sot, kur në shenjë proteste unë kisha refuzuar të lexojë në foltoren e Kuvendit, rekomandimin e Komisionit për Legjislacion që ishte në favor të themelimit të Gjykatës Speciale (sepse isha mbivotuar nga mazhoranca e asaj kohe), ky kishte kërkuar publikisht dorëheqjen time për atë veprim politik në foltoren e Kuvendit. Madje kemi pasur edhe një ballafaqim në një nga hapësirat e Kuvendit, i cili ishte bërë publik. Shumë mirë, por me vonesë”, ka deklaruar Haxhiu.