Haxhiu: Ne kishim kërkuar nisjen e procedurave për shkarkimin e Laban në 2018’ën, ishte cilësuar ndërhyrje

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje i kishte drejtuar në vitin 2018 një kërkesë zyrtare ish-Kryetares së Gjykatës Kushtetuese, Arta Rama-Hajrizi, për nisjen e procedurave për shkarkimin e gjyqtarit Radomir Laban, shkruan Reporteri.net.

Presidentja Vjosa Osmani tha dje se Laban përbën rrezik për sigurinë kombëtare dhe e tërheqi kërkesën e saj në Kushtetuese rreth ngërçit, pasi ai u caktua gjyqtar raportues i lëndës.

Haxhiu ka thënë se kërkesa e tyre ishte cilësuar si ndërhyrje në pavarësinë e gjyqtarëve.

“Kur në vitin 2018,  ish-Presidenti Thaçi kishte injoruar thirrjet tona për të mos e dekretuar Radomir Llabanin si gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese, për shkak të së kaluarës së tij kriminale dhe duke pasur parasysh që gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese shkarkohen nga Presidenti por paraprakisht me propozimin e 2/3 të gjyqtarëve të kësaj gjykate dhe jo nga ndonjë organ tjetër, ne i kishim drejtuar një kërkesë zyrtare ish-kryetares së Gjykatës Kushtetuese, Arta Rama-Hajrizi, duke kërkuar fillimin e procedurave për shkarkimin e tij.

Megjithatë, në vend që të merrej parasysh kjo kërkesë, ne kishim pranuar një përgjigje zyrtare në të cilën thuhej se kërkesa jonë përbënte “ndërhyrje në pavarësinë e tyre””, ka shkruar Haxhiu./Reporteri.net

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi