Haradinaj kërkon pagesën e orëve shtesë për policët dhe ushtarët: Po flasim për siguri, por nuk po i paguajmë ata që na mbrojnë

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka reaguar për situatën e krijuar pas vonesës në konstituimin e Kuvendit të Kosovës, duke theksuar pasojat e drejtpërdrejta që kjo ka në funksionimin e institucioneve dhe në jetën e përditshme të qytetarëve, raporton Ekonomia Online.

Në një deklaratë për media, Haradinaj theksoi shqetësimin për faktin se ende nuk janë paguar orët shtesë për policët dhe ushtarët, të cilët janë në vijën e parë të përballjes me sfidat e sigurisë.

“Një ditë e dëgjova që ende nuk iu janë paguar orët shtesë policëve dhe ushtarëve. Gjithë kohën flasim për siguri dhe rreziqe, por nuk po i shpërblejmë ata që po na mbrojnë”, u shpreh ai.

Haradinaj bëri thirrje që të mblidhet urgjentisht Këshilli i Sigurisë së Kosovës dhe që të merren masa konkrete për të bërë pagesat për punonjësit e forcave të sigurisë dhe institucioneve të tjera të ligjit.

“Ju e dini, është vonuar shumë certifikimi i rezultatit – kemi humbur të paktën një muaj. Brenda atyre 30 ditëve është dashur të certifikohet rezultati. Po humbim kohë dhe kjo po lë pasoja në jetën e brendshme. Rritja e çmimit të energjisë ka sjellë shtrenjtim të përgjithshëm të çmimeve. Askush nuk po trajton temat konkrete për atë që po ndodh në vend”, tha Haradinaj.

Ai shtoi se situata aktuale nuk po i sjell përfitim askujt dhe theksoi se partia e tij ka ofruar mbështetje për një kandidat unifikues të Lëvizjes Vetëvendosje (VV), në mënyrë që të zhbllokohet procesi.

“Nuk është që ne po fitojmë diçka në këtë situatë. Ne e kemi dhënë opsionin për kandidatët unifikues të VV-së, çdo gjë e kanë të mundshme. Por të paktën, nëse mblidhet Këshilli i Sigurisë së Kosovës në një takim urgjent, duhet të paguhen ato orë shtesë për policinë, ushtrinë dhe institucionet e tjera të ligjit. Është e dhimbshme kjo kohë”, përfundoi Haradinaj.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi