Zyra e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu tha se ekipi negociator ka marrë përgjigjen e Hamasit nga ndërmjetësit dhe po e shqyrton atë
Hamasi tha sot se ka paraqitur përgjigjen e tij ndaj një propozimi për armëpushim në Gaza, transmeton Anadolu.
“Pak kohë më parë, Hamasi u dorëzoi ndërmjetësve përgjigjen e tij dhe përgjigjen e fraksioneve palestineze ndaj propozimit për armëpushim”, tha grupi i rezistencës në një deklaratë.
Detaje të mëtejshme në lidhje me përgjigjen nuk ishin menjëherë të disponueshme.
Zyra e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu tha se ekipi negociator ka marrë përgjigjen e Hamasit nga ndërmjetësit dhe po e shqyrton atë.
Transmetuesi publik izraelit KAN, duke cituar burime të njohura me çështjen, tha se përgjigjja e fundit është “më pozitive” se ato të mëparshmet.
Negociatat indirekte midis Izraelit dhe Hamasit mbi armëpushimin në Gaza dhe marrëveshjen për lirimin e të burgosurve vazhdojnë në Doha të Katarit.
Hamasi ka shprehur vazhdimisht gatishmërinë e tij për të liruar të gjithë robërit izraelitë në një grup në këmbim të përfundimit të luftës së Izraelit dhe tërheqjes së plotë të forcave izraelite nga Gaza.
Izraeli ka vrarë më shumë se 59.200 palestinezë në Rripin e Gazës që nga tetori i vitit 2023, shumica prej tyre gra dhe fëmijë. Fushata ushtarake e ka shkatërruar enklavën, ka shembur sistemin shëndetësor dhe ka çuar në mungesa të mëdha ushqimore.
Nëntorin e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhra arresti për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e tij të Mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli përballet gjithashtu me një padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën e tij në enklavën palestineze.