Hamasi: Plani i Izraelit për pushtimin e Gazës do të dështojë ashtu si të tjerët më parë

Hamasi ka deklaruar se sulmet e nisura për të pushtuar qytetin e Gazës, të quajtura “Karrocat luftarake të Gideonit 2”, do të dështojnë si ato të mëparshmet

Hamasi ka deklaruar se sulmet e nisura për të pushtuar qytetin e Gazës, të quajtura “Karrocat luftarake të Gideonit 2”, do të dështojnë si ato të mëparshmet, transmeton Anadolu.

Pasi ministri izraelit i Mbrojtjes, Yisrael Katz miratoi planin për pushtimin e qytetit të Gazës, Hamasi lëshoi ​​një deklaratë me shkrim ku thuhet se “plani përfaqëson vazhdim të gjenocidit që po vazhdon më shumë se 22 muaj në Rripin e Gazës dhe shpërfillje e përpjekjeve të ndërmjetësve për armëpushim dhe shkëmbim të pengjeve”.

“Në një kohë kur Hamasi pranoi propozimin për armëpushim të paraqitur nga ndërmjetësit, qeveria izraelite këmbënguli të vazhdojë luftën e saj brutale kundër civilëve të pafajshëm me qëllim shkatërrimin e qytetit të Gazës dhe dëbimin e popullit të tij në jug”, thuhet në deklaratë.

Më tej thuhet se “Injorimi dhe mosreagimi i kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu ndaj propozimit të ndërmjetësve tregon se është ai që i shkeli marrëveshjet, se nuk interesohet për jetën e pengjeve dhe se nuk është serioz për rikthimin e tyre”.

“Plani për pushtimin e Gazës do të dështojë si ato të mëparshmet. Izraeli nuk do të mund të arrijë objektivat që ka vendosur për këtë plan dhe për pushtimin e Gazës nuk do të mund të shkohet si në një ‘udhëtim argëtues'”, theksohet në deklaratën e Hamasit në të cilën u bëhet thirrje ndërmjetësve të ushtrojnë presion maksimal mbi Izraelin për të ndaluar gjenocidin kundër popullit palestinez.

– Vendimi i Izraelit për të pushtuar qytetin e Gazës

Kabineti izraelit i Sigurisë më 8 gusht miratoi planin për të pushtuar qytetin e Gazës në veri të enklavës. Në një intervistë para një mbledhjeje të kabinetit, Netanyahu tha se ata synojnë të pushtojnë të gjithë Rripin e Gazës.

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Yisrael Katz miratoi dje planin për pushtimin e qytetit të Gazës. Sipas planit, në fazën e parë do të zhvendosen drejt jugut afërsisht një milion palestinezë, do të rrethohet qyteti dhe më pas do të pushtohet pas sulmeve intensive.

Hamasi më 18 gusht pranoi propozimin e paraqitur nga Egjipti dhe Katari në lidhje me armëpushimin dhe shkëmbimin e pengjeve në Gaza, por Izraeli nuk dha përgjigje lidhur me propozimin.

Kategoritë
BotaLajme