Grupi që lufton kundër forcave siriane kërkon hapjen e korridorit drejt territorit të pushtuar nga PKK/YPG-ja

– Në një deklaratë nga Hikmat al-Hajri kërkohet hapja e korridorit nga Suwayda në verilindje të Sirisë dhe kalim kufitar midis Suwaydas dhe Jordanisë

Grupi Hikmat al-Hajri, i cili po lufton kundër qeverisë siriane në provincën jugore Suwayda, ka kërkuar hapjen e një korridori drejt territorit të pushtuar nga grupi terrorist PKK/YPG, transmeton Anadolu.

Në një deklaratë të postuar në mediat sociale, grupi kërkoi një “rrugë të hapur” nga Suwayda për në verilindje të Sirisë, aktualisht e pushtuar nga terroristët e PKK/YPG. Gjithashtu i bëri thirrje Mbretit Abdullah II të Jordanisë të hapë një pikë kalimi kufitar midis Suwaydas dhe Jordanisë.

Organizata terroriste PKK/YPG, e cila vepron në Siri nën emrin SDF, organizoi një demonstratë në qendër të qytetit Hasakah të mërkurën në mbështetje të grupeve që u përleshën me forcat e sigurisë në Suwayda.

Organizata aktualisht po përgatitet të realizojë një dërgesë në Suwayda nën maskën e “ndihmës humanitare”.

PKK/YPG-ja u përlesh gjithashtu me ushtrinë siriane në rajonin Dayr Hafir në lindje të Halepit të mërkurën dhe më pas dërgoi përforcime në zonë.

– Përleshjet në Suwayda dhe sulmet izraelite

Më 13 korrik, shpërthyen përleshje në shkallë të vogël midis fiseve arabe beduine dhe grupeve të armatosura druze në provincën jugore siriane Suwayda.

Dhjetëra ushtarë u vranë në sulmet e grupeve druze ndaj forcave siriane të sigurisë të vendosura në zonë.

Pasi përleshjet midis forcave të sigurisë dhe grupeve të armatosura lokale druze u përshkallëzuan, u arrit një armëpushim midis palëve.

Armëpushimi u prish shpejt dhe ushtria izraelite kreu sulme që shënjestruan forcat siriane të sigurisë.

Më 16 korrik, forcat ajrore izraelite goditën kompleksin presidencial të Sirisë, selinë e Shtabit të Përgjithshëm dhe Ministrinë e Mbrojtjes.

Në të njëjtën ditë, u rivendos një armëpushim midis qeverisë dhe grupeve lokale në Suwayda, ndërsa avionët luftarakë izraelitë kryen sulme ndaj Damaskut dhe Daraas.

Që kur forcat e sigurisë janë tërhequr nga Suwayda, vlerësohet se qindra njerëz kanë humbur jetën nga përleshjet dhe sulmet izraelite.

Kategoritë
BotaLajme