Qeveria do të shkurtojë përfitimet dhe do t’i mbajë migrantët në arrest deri në 18 muaj, tha ministri i migracionit.
Greqia shpalosi një sërë masash më të ashpra që synojnë frenimin e mbërritjes së migrantëve, pas një njoftimi të mëparshëm nga kryeministri Kyriakos Mitsotakis, transmeton Anadolu.
Në një intervistë me transmetuesin SKAI TV, ministri i Migracionit Thanos Plevris kujtoi masat e kryeministrit, duke përfshirë një pezullim të përkohshëm të shqyrtimit të kërkesave për azil për migrantët që vijnë nga Afrika e Veriut dhe arrestimin e atyre që hyjnë ilegalisht.
“Ne e kemi bërë të qartë se Greqia nuk mund të tolerojë anijet që mbërrijnë çdo ditë me një total prej 1.000 personash”, tha ai. “Pra, në këtë moment po hyjmë dinamikisht me një sërë hapash”, shtoi Plervris.
Ndër hapat shtesë, shpjegoi Plevris, janë periudhat e ndalimit deri në 18 muaj dhe dënime me burg deri në pesë vjet pa lirim me kusht për vepra të caktuara penale.
Ministri njoftoi gjithashtu shkurtime të konsiderueshme të përfitimeve për migrantët dhe një ulje të cilësisë së ushqimit të shërbyer në qendrat e pritjes.
“Që tani e tutje, qeveria do të miratojë një politikë të një reduktimi drastik të përfitimeve. Ndër të tjera, kërkova rishikim të menysë së ofruar për strukturat, e cila aktualisht është një meny hoteli”, tha ai.
Plevris shtoi se Athina po punon për të parandaluar anijet e migrantëve të largohen nga Libia dhe mbetet e gatshme të ndërhyjë më tej nëse përpjekjet diplomatike dështojnë.
Mitsotakis zbuloi grupin fillestar të politikave më të ashpra të mërkurën mes një rritjeje të mbërritjeve të migrantëve në ishullin e Kretës nga Libia. Duke iu drejtuar parlamentit, ai tha se shkalla e mbërritjeve të reja “kërkon masa të jashtëzakonshme”.
Që nga fillimi i verës, Kreta ka përjetuar një rritje të dukshme të migrantëve që mbërrijnë nga deti.
Në përgjigje, në fund të qershorit, Greqia vendosi anije luftarake pranë brigjeve të Libisë. Ministri i Jashtëm George Gerapetritis vizitoi gjithashtu Bengazin për të diskutuar situatën me Khalifa Haftarin, komandantin e forcave lindore libiane.