Elizabeth Reddy nga Colorado School of Mines në SHBA, e ka cilësuar “shqetësuese” faktin që janë dashur mbi dy vjet për ta identifikuar gabimin në sistem
Google ka pranuar se gjatë tërmeteve të 6 shkurtit 2023 në Turqinë juglindore, paralajmërimet e hershme nuk arritën të dërgoheshin tek 10 milionë persona, transmeton Anadolu.
Sipas një lajmi të BBC-së, Google ka pranuar gabimet në sistemin Android të Paralajmërimit për Tërmete (AEA), i cili menaxhohet nga “Silicon Valley” në Kaliforni.
Në një deklaratë për BBC-në, Google ka thënë se gjatë tërmeteve të shkurtit 2023 me epiqendër në Kahramanmaraş, sistemi AEA funksionoi gabimisht.
Sipas kësaj deklarate, sistemi duhej të dërgonte paralajmërime të nivelit më të lartë për tërmetin tek rreth 10 milionë persona që ndodheshin 157 kilometra larg epiqendrës. Megjithëse sistemi ishte aktiv atë ditë, ai nuk arriti të shërbente sipas projektimit dhe nuk paralajmëroi përdoruesit për tërmetet të cilave “ua nënvlerësoi intensitetin”.
– Parashikime dhe paralajmërime të gabuara
AEA përdor një shkallë momentale për të matur tërmetin në kohë reale dhe, për tërmetin e parë me magnitudë reale 7,7 të ndodhur në orën 04:17, sistemi arriti ta vlerësonte vetëm si 4,5–4,9.
Si rezultat, për tërmetin e parë sistemi dërgoi vetëm 469 njoftime “vepro menjëherë”. Rreth 500 mijë njerëz morën paralajmërim të nivelit të ulët, të krijuar për dridhje të lehta, që nuk tërheq vëmendje në mënyrë domethënëse.
Pas tërmetit të dytë po atë ditë, u dërguan 8.158 njoftime “vepro menjëherë” dhe rreth 4 milionë përdorues morën njoftime “jini të vetëdijshëm”.
Megjithatë, këto njoftime që në kushte ideale mundësojnë rreth 35 sekonda përgatitjeje, për shkak të defekteve nuk arritën t’i informonin përdoruesit në zonë në mënyrë efektive.
– “Po e përmirësojmë sistemin”
Google tha në deklaratë se të gjitha sistemet e paralajmërimit të hershëm për tërmete përballen me sfida të ngjashme dhe se përshtatja e algoritmeve për tërmete të fuqishme është teknikisht shumë e ndërlikuar.
Një zyrtar i kompanisë ka shtuar: “Bazuar në gjithçka që mësojmë nga çdo tërmet, ne vazhdojmë ta përmirësojmë sistemin”.
– Zbulimi i gabimit
Elizabeth Reddy nga Colorado School of Mines në SHBA, e ka cilësuar “shqetësuese” faktin që janë dashur mbi dy vjet për ta identifikuar gabimin në sistem.
“Jam shumë e trishtuar. Nuk po fasim për një incident të vogël – njerëz humbën jetën dhe nuk pamë performancën që dëshironim nga ky paralajmërim”, ka thënë ajo.
Sipas studiuesve të Google, pas ngjarjes, sistemi i analizës së tërmeteve është përmirësuar dhe aktualisht AEA jep paralajmërime në 98 vende.
Google beson se sistemi AEA funksionon në mbi 70 për qind të pajisjeve Android në Turqi.
– Tërmetet
Turqia u trondit dy vjet më parë nga tërmetet me magnitudë 7,7 dhe 7,6 me epiqendër në Kahramanmaraş, të cilat u cilësuan si “katastrofa e shekullit”, duke prekur 11 provinca.
Nga tërmetet humbën jetën 53.537 persona, u lënduan 107.213 dhe u prekën rreth 14 milionë qytetarë. Në vend u shpall një javë zie kombëtare.