Fillimisht, Popoviq u dënua me 6 muaj burgim për nxitje të urrejtjes dhe mosdurimit, por masa iu zëvendësua nga Gjykata me dënim prej 3 mijë eurosh dhe dëbim nga Kosova i cili do të jetë në fuqi për dy vjet.
Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë vendim që ta dëbojë nga Kosova dhe të mos i lejojë hyrjen në territor për dy vjet Igor Popoviqit, zyrtarit të Qeverisë së Serbisë, transmeton Anadolu.
Fillimisht, ai u dënua me 6 muaj burgim për nxitje të urrejtjes dhe mosdurimit, por masa iu zëvendësua nga Gjykata me dënim prej 3 mijë eurosh dhe dëbim nga Kosova i cili do të jetë në fuqi për dy vjet.
Në shpallje të aktgjykimit nuk ka qenë i pranishëm Popoviqi.
Prokurorja Fikrije Krasniqi-Fejzullahu i ka propozuar gjykatës që t’i shqiptojë dënimin me gjashtë muaj burgim, por që t’i zëvendësohet me gjobë 3 mijë euro dhe dëbim të Igor Popoviqit nga Kosova për dy vjet. Me propozimin e Prokurorisë u pajtuan edhe avokatët e të akuzuarit.
Popoviq u ndalua më 18 korrik në Kosovë pasi, sipas autoriteteve në Kosovë, gjatë një fjalimi në Hoçë të Madhe, ai e ka cilësuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës si “organizatë terroriste” dhe i ka krahasuar veprimet e saj me ngjarje të rënda ndërkombëtare.
Pas këtij fjalimi në Rahovec, ai u ndalua në pikën kufitare në Bërnjak dhe u dërgua në mbajtje policore. Ndërkaq, më 21 korrik, atij iu caktua masa e paraburgimit për 1 muaj.
Ndalimi dhe paraburgimi i Popoviqit në Kosovë pasoi me një arrestim të një shtetasi të Kosovës në Serbi, në mbrëmjen e 22 korrikut. Shtetasi kosovar Lulzim Halili u arrestua rreth 100 kilometra nga Beogradi, në Svilajnac, dhe u dërgua në mbajtje në Stacionin Policor të këtij qyteti, ku më pas iu caktuan 30 ditë paraburgim nën dyshimin “për kryerjen e veprës penale të organizimit dhe nxitjes së kryerjes së gjenocidit dhe krimeve të luftës”.