Gjermania u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri tani, pa vonesa të mëtejshme, dhe të përmbahen nga çdo deklaratë apo veprim që mund të shkaktojë përshkallëzim, shkruan Reporteri.net.
Qeveria e Gjermanisë ka thënë se e mbështet plotësisht dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, si dhe përpjekjet e Emisarit të BE’së, Peter Sorensen.
Deklarata është lëshuar pas takimit që ka zhvilluar para dy ditësh Sorensen me Ministrin e Shtetit të Gjermanisë, Gunther Krichbaum.
“I inkurajoj të dyja vendet që të angazhohen sërish plotësisht në procesin e dialogut. Kjo përfshin mundësimin e lëvizjes së lirë dhe të sigurt, përfshirë për negociatorët dhe ekipet e tyre, si dhe përmbajtjen në deklaratat publike, duke pasur parasysh mandatin e tyre përkatës. Gjermania është e gatshme të mbështesë të dyja vendet në përparimin drejt një procesi të qëndrueshëm, gjithëpërfshirës dhe paqësor të normalizimit”, ka deklaruar Krichbaum.
Gjermania ka thënë se po ndjek nga afër zhvillimet e arrestimit të ish-policit të Kosovës, Arbnor Spahiut nga Serbia, si dhe të Igor Popoviç në Kosovë.
“Në këtë frymë, ne po e ndjekim nga afër arrestimin e Zëvendësdrejtorit serb Igor Popović në Kosovë. Çdo masë e privimit nga liria duhet të jetë e justifikuar dhe proporcionale. Ne po e ndjekim gjithashtu nga afër arrestimin e shtetasit kosovar Arbnor Spahiu nga autoritetet serbe, dhe presim që Serbia të sigurojë zbatimin e duhur dhe të shpejtë të procedurave ligjore, të respektojë të drejtat themelore dhe të garantojë një proces gjyqësor të drejtë – në përputhje me Marrëveshjen për Drejtësinë nga Dialogu, e cila përcakton se procedurat penale për vepra të kryera në Kosovë duhet të zhvillohen në parim në Kosovë”.
Krichbaum ka thënë se e sheh të ardhmen e Ballkanit Perëndimor në BE dhe se normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, është kriter thelbësor në këtë drejtim.
“Dialogu dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore janë shtylla të një BE-je të forte”, theksohet në deklaratë./Reporteri.net