Sipas mediave gjermane, qeveria federale ka miratuar projektligjin për ndryshimin e rregullave të shërbimit ushtarak, me planin që shërbimi ushtarak vullnetar të fillojë nga viti 2027.
Modeli është propozuar nga ministri i Mbrojtjes, Boris Pistorius, dhe bazohet kryesisht në pjesëmarrje vullnetare, pa rikthim të menjëhershëm të rekrutimit të detyrueshëm.
Megjithatë, projektligji parashikon një klauzolë emergjente që lejon rikthimin e shërbimit të detyrueshëm në rast se numri i vullnetarëve del i pamjaftueshëm.
Synimi: 260 mijë aktivë dhe 200 mijë rezervistë
Qeveria gjermane ka për qëllim që Bundeswehru të arrijë të paktën 260.000 ushtarë aktivë dhe edhe 200.000 rezervistë, duke e ngritur fuqinë e përgjithshme në gjysmë milioni efektivë.
Grupi kryesor i synuar janë qytetarët gjermanë nga mosha 18 deri në 25 vjeç. Që nga viti 2026, të gjithë shtetasit në këtë kategori moshe do të plotësojnë një pyetësor mbi gatishmërinë e tyre për të shërbyer në Bundeswehr.
-
Për burrat, plotësimi i pyetësorit do të jetë i detyrueshëm.
-
Për gratë, vullnetar.
Duke filluar nga 1 korriku 2027, të gjithë 18-vjeçarët do t’i nënshtrohen një kontrolli mjekësor për të përcaktuar aftësinë e tyre për shërbim ushtarak, edhe nëse nuk zgjedhin të bëhen pjesë e ushtrisë.
Rritje e interesimit
Forcat e armatosura gjermane raportojnë se viti 2024 ka qenë rekord për pranimin e rekrutëve civilë – mbi 20.000 kandidatë të rinj, që përfaqëson një rritje prej 31 për qind krahasuar me vitin 2023.