Gjermania: Procesi për njohjen e shtetit palestinez duhet të fillojë tani, por vonon marrja e vendimit

Ministria e Jashtme gjermane ka thënë se procesi për të njohur një shtet palestinez duhet të fillojë tani, por e shtyu çdo vendim përfundimtar për shumë kohë në të ardhmen.

Sipas mediave të huaja, kjo deklaratë vjen pas njoftimit të parë të Francës, Mbretërisë së Bashkuar dhe më pas Kanadasë, të cilat kanë ndërmend të ndërmarrin një veprim të tillë, bazuar në përmbushjen e disa kushteve.

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Johann Wadephul, tha sot se njohja e një shteti palestinez vjen në fund të negociatave për një zgjidhje me dy shtete, por sipas tij, ky proces duhet të fillojë tani, duke paralajmëruar se Berlini do t’u përgjigjet “hapave të njëanshëm”.

“Një zgjidhje e negociuar me dy shtete mbetet e vetmja rrugë që mund t’u ofrojë njerëzve në të dyja anët një jetë në paqe, siguri dhe dinjitet”, tha ai.

Wadephul shtoi: “Për Gjermaninë, njohja e një shteti palestinez vjen në fund të këtij procesi. Por një proces i tillë duhet të fillojë tani.”

Fjalët e tij vijnë në sfondin e presionit në rritje ndërkombëtar që po ushtrohet mbi Izraelin, ndërsa kriza e urisë thellohet në Gaza.

Kjo deklaratë vjen gjithashtu ndërsa Wadephul udhëton sot për në Izrael. Gjatë vizitës së tij, ai do të shkojë edhe në Bregun Perëndimor të pushtuar.

Kategoritë
BotaLajme