Kancelari gjerman Friedrich Merz akuzoi sot në Berlin Rusinë për terrorizëm për sulmet më të fundit ndaj objektivave civile në Ukrainë, në margjinat e ceremonisë për 70-vjetorin e anëtarësimit të Gjermanisë në NATO, ku politikanët gjermanë theksuan ambiciet për të marrë rolin udhëheqës brenda Aleancës Atlantike.
“Natën e kaluar dëshmuam bombardimet dhe goditjet me raketa më të ashpra që nga fillimi i luftës. Kjo është terrorizëm kundër objektivave civile. Kjo s’ka më asnjë lidhje me një luftë kundër objektivave ushtarake,” tha Merz pas takimit me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte.
“Do të bëjmë gjithçka që Bundeswehr të bëhet ushtria konvencionale më e fuqishme brenda BE-së”
Në ceremoni, Merz u shpreh se qeveria e tij “do të bëjë gjithçka që Bundeswehr të bëhet ushtria konvencionale më e fuqishme brenda Bashkimit Europian, ashtu siç pritet nga ne si fuqia më e madhe ekonomike e Europës.”
Sipas tij, në vitet në vijim Gjermania do të udhëheqë në “forcimin e shtyllave të NATO-s në Europë.”
Merz, përpara të ftuarve si ministri kroat i Mbrojtjes Ivan Anušić, tha se NATO ka treguar vendosmëri dhe unitet në momentet historike. “Kjo aleancë frymon me plot mushkëri, është e gjallë dhe mban sigurinë tonë kolektive,” tha ai.
Forcimi i rolit të Gjermanisë në NATO
Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, gjithashtu njoftoi përforcimin e rolit të Gjermanisë brenda NATO-s.
“Agresioni rus ndaj Ukrainës definitivisht ka eliminuar çdo pyetje mbi kuptimin e ekzistencës së NATO-s… dhe ne do të mbrojmë së bashku çdo pëllëmbë të tokës së NATO-s,” tha ministri gjerman i Mbrojtjes.
Gjermania u bë anëtari i 15-të i NATO-s më 6 maj 1955, jo më shumë se dhjetë vjet pas kapitullimit të Gjermanisë naziste.