Gjermania po shqyrton blerjen e sistemit mobil të raketave “Typhon” për goditje të thella

Gjermania po merr në konsideratë blerjen e sistemit Typhon, i cili mund të nisë raketa me rreze veprimi deri në 2,000 kilometra, duke i dhënë NATO-s kapacitete për sulme të thella. Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, gjatë vizitës së tij të fundit në Uashington, shpjegoi karakteristikat unike të këtyre sistemeve raketore.

“Thjesht e themi, janë lansues tokësorë që mund të lëshojnë lloje të ndryshme raketash të udhëzuara në distanca të ndryshme,” tha Pistorius.

Karakteristika kryesore e sistemit amerikan është aftësia për të nisur raketa të shumëllojshme.

Ky armatim është në gjendje të godasë cakun brenda territorit rus, megjithëse Pistorius theksoi se do të shërbente vetëm si mjet parandalues.

Nga ana tjetër, ai theksoi se nuk është marrë ende vendimi përfundimtar për blerjen e këtij sistemi të avancuar raketor, por shtoi se Gjermania ka shfaqur interes për këtë pajisje.

Shkallë e gjerë aftësish
Typhon është një lansues mobil tokësor, i projektuar për të nisur raketa “Standard SM-6” me shumë role dhe raketa rreshëlluese “Tomahawk” me rreze veprimi mbi 2,000 kilometra.

Ky sistem është versioni tokësor i sistemit detar të lansimit vertikal Mk41, i montuar mbi një kamion që i jep mobilitet.

Kontrata me Lockheed Martin për zhvillimin e këtyre sistemeve u nënshkrua në nëntor 2020, pas kolapsit të Marrëveshjes për Forcat Bërthamore të Rrezeve të Mesme.

Kjo marrëveshje ndërmjet SHBA-së dhe Rusisë ndalonte testimin dhe vendosjen e raketave tokësore me rreze 500–5,500 kilometra.

Kategoritë
BotaLajme