Gjermania po heq subvencionet për panelet diellore në çati

Shoqata e kompanive gjermane të energjisë diellore paralajmëroi dje se heqja e mbështetjes për instalimin e sistemeve të reja fotovoltaike në çati, sipas propozimit të ministres së ekonomisë, mund të rrezikojë arritjen e objektivave klimatike të vendit.

Para 25 vitesh, qeveria gjermane vendosi masa për çmime stimuluese të energjisë së prodhuar nga sistemet fotovoltaike në çati, duke ofruar çmime të garantuara për të gjithë prodhuesit që shpërndanin tepricat e tyre në rrjetin elektrik kombëtar.

Falë këtyre masave, Gjermania ka bërë përparim të ndjeshëm drejt objektivit për të mbuluar deri në vitin 2030 rreth 80% të kërkesës për energji elektrike nga burime të rinovueshme.

Megjithatë, ekonomia më e madhe e Evropës nuk po arrin të rritet pas dy viteve radhazi të rënies së aktivitetit ekonomik, ndërsa buxheti shtetëror është i ngarkuar me shpenzime më të larta për mbrojtjen, ringjalljen e ekonomisë dhe rinovimin e infrastrukturës së vjetruar.

Ministrja: Sistemet e vogla fotovoltaike nuk kanë nevojë për subvencione
Ministrja e ekonomisë, Katherina Reiche, në një intervistë për gazetën Augsburger Allgemeine tha se për instalimin e sistemeve të reja të vogla në çati, të cilat kryesisht u sjellin përfitim vetëm familjeve private, nuk është më e nevojshme financimi publik.

“Sistemet e reja të vogla fotovoltaike tashmë janë fitimprurëse në tregun e sotëm dhe nuk kanë nevojë për asnjë subvencion”, tha Reiche, duke shtuar se pronarët e këtyre sistemeve mund të mbulojnë edhe një pjesë të kostove të zgjerimit të rrjetit elektrik, i cili nevojitet për shkak të prodhimit gjithnjë e më intensiv të energjisë diellore.

Reagimi i industrisë
Sipas Carsten Koernig, kryetar i Shoqatës së kompanive gjermane për energjinë diellore, subvencionet u kanë dhënë bankave sigurinë e nevojshme për të financuar sistemet fotovoltaike, dhe pa këto mbështetje vetëm 40% e konsumatorëve gjermanë do të mund të instalonin panele diellore në shtëpitë e tyre.

“Është e qartë se subvencioni i ka sjellë përfitim shoqërisë në tërësi”, tha Koernig për Reuters.

Kompania berlineze për energji të rinovueshme Enpal theksoi se për të arritur objektivin e prodhimit të energjisë elektrike nga burime të rinovueshme, qeveria duhet të shfrytëzojë kapacitetin e paneleve diellore në çati, duke tërhequr prodhuesit e vegjël, dhe për këtë nevojitet një kuadër rregullator i qëndrueshëm.

Rënia e instalimeve diellore në Evropë
Propozimi i ministres gjermane për heqjen e subvencioneve vjen në një kohë kur sektori diellor tashmë po përballet me rënie të kërkesës për shkak të rritjes së normave të interesit, ndryshimeve në klimën politike dhe pasigurisë ekonomike.

Sipas raportit të korrikut të shoqatës SolarPower Europe, instalimi i kapaciteteve diellore në Evropë mund të ngadalësohet këtë vit për herë të parë në dhjetë vjet, pikërisht për shkak të uljes së mbështetjes shtetërore për panelet diellore në çati në Francë, Holandë dhe Gjermani.

BE-ja pritet të instalojë këtë vit 64,2 gigavat kapacitet të ri për energjinë diellore – 1,4% më pak se në vitin 2024 – dhe pjesa e paneleve diellore në çati në këto kapacitete të reja do të jetë vetëm 15%, gjysma e nivelit të periudhës 2020–2023.

Me ritmin aktual të instalimeve, BE-ja nuk do të arrijë deri në vitin 2030 kapacitetin prej 750 gigavatësh që SolarPower Europe e konsideron të nevojshëm për të përmbushur objektivat klimatike dhe për të reduktuar varësinë nga energjia ruse.

Kategoritë
BotaLajme