“Ky armëpushim duhet të respektohet. Kjo është rruga përpara”, tha zëvendëszëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Meyer pasi sulmet izraelite vranë mbi 100 persona në Gaza
Gjermania i bëri thirrje Izraelit dhe Hamasit që t’i përmbahen marrëveshjes së armëpushimit në Gaza, pasi sulmet ushtarake izraelite vranë mbi 100 palestinezë në Rripin e Gazës, transmeton Anadolu.
Duke folur në një konferencë për mediat në Berlin, zëvendëszëdhënësi i qeverisë Steffen Meyer tha se Gjermania pret që të gjitha palët në konflikt të mbeten të përkushtuara ndaj planit 20-pikësh të presidentit të SHBA-së, Donald Trump.
“Ne vazhdojmë t’u bëjmë thirrje të gjitha palëve jo vetëm të marrin pjesë, por edhe t’i përmbahen marrëveshjeve, sepse është mjeti më i mirë që kemi për të përmirësuar situatën në rajon. Do të doja të theksoja edhe një herë se ky armëpushim duhet të respektohet, është rruga përpara”, tha ai.
Më shumë se 100 palestinezë u vranë në sulmet vdekjeprurëse izraelite në të gjithë Rripin e Gazës të martën në mbrëmje, në një shkelje të ashpër të marrëveshjes së armëpushimit që hyri në fuqi më 10 tetor sipas planit 20-pikësh të Trumpit.
Izraeli pretendon se sulmet ishin në përgjigje të një sulmi me armë zjarri ndaj forcave të tij në Rafah ndërsa Hamasi ka mohuar çdo përfshirje në sulm.












