Gjermania bllokon përpjekjet e BE-së për sanksione ndaj Izraelit

Gjermania dhe disa vende të tjera anëtare të Bashkimit Evropian po pengojnë një propozim për vendosjen e sanksioneve ndaj Izraelit për rolin e tij në përkeqësimin e situatës humanitare në Rripin e Gazës, bënë të ditur diplomatët.

Gjatë diskutimeve në Bruksel mes përfaqësuesve të përhershëm të vendeve anëtare të BE-së, nuk u arrit ndonjë marrëveshje për të nisur procesin zyrtar të vendimmarrjes, pasi vende si Gjermania kërkuan më shumë kohë dhe analiza për të vlerësuar situatën në terren, sipas burimeve diplomatike.

Disa delegacione shprehën shqetësimin se vendosja e sanksioneve mund të rrezikojë dialogun thelbësor me autoritetet izraelite.

Sipas rregullave të BE-së, të paktën 15 nga 27 shtetet anëtare që përfaqësojnë 65% të popullsisë së BE-së duhet ta mbështesin propozimin që ai të kalojë më tej.

Gjermania dhe Italia konsiderohen vendimtare në këtë proces.

Të gjitha vendet e tjera të mëdha të BE-së, si dhe disa më të vogla, kanë sinjalizuar hapje ndaj idesë së sanksioneve.

Diplomatët thanë se shumë delegacione mbështetën propozimin si një mënyrë për të rritur presionin ndaj autoriteteve izraelite dhe për të ndihmuar përmirësimin e gjendjes në terren në Gaza.

Komisioni Evropian  rekomandoi të hënën pezullimin e pjesshëm të pjesëmarrjes së Izraelit në programin e financimit të kërkimit shkencor ”Horizon Europe” duke përmendur shkeljet e të drejtave të njeriut dhe të drejtës humanitare në Gaza.

Në propozim përmenden mijëra vdekje të civilëve dhe një rritje e ndjeshme e kequshqyerjes së rëndë, veçanërisht tek fëmijët.

Grupi punues i Këshillit të BE-së do të shqyrtojë tani aspektet teknike të propozimit për sanksione.

Diplomatët paralajmëruan gjithashtu se procesi mund të përballet me vonesa ligjore, pasi disa shtete anëtare vënë në dyshim nëse masa mund të miratohet me votim me shumicë të cilësuar.

Kategoritë
BotaLajme