Gjermani po përballet me kritikët e Izraelit: Simbolin e shalqirit e shpalli shenjë ekstremiste

Zyra Federale Gjermane për Mbrojtjen e Kushtetutës, BfV, publikoi një faqe të re dhe një dokument shoqërues ku simboli i një fete shalqiri përfshihet ndër shenjat e ekstremizmit sekular pro-palestinez në Gjermani.

BfV këtë skenë e përshkruan si një rrjet shumë heterogjen organizatash, individësh dhe grupesh që i bashkon armiqësia ndaj Izraelit dhe mohimi i të drejtës së tij për të ekzistuar. Shërbimi thekson se aktorë të tillë lidhin spektra të ndryshëm ekstremistë, nga grupet e majta deri te ato islamiste, e në disa raste edhe qarqe të ekstremit të djathtë.

Ndër simbolet që veçohen është edhe paraqitja e një fete shalqiri, si aludim për ngjyrat e flamurit palestinez. BfV përmend si shembull edhe hartën e të gjithë shtetit të Izraelit të ngjyrosur me këto ngjyra, duke vlerësuar se në këtë mënyrë mohohet e drejta e Izraelit për të ekzistuar. Në të njëjtin kontekst përmenden edhe trekëndëshi i kuq i përmbysur, slogani “nga lumi deri në det” dhe thirrja “yalla yalla intifada”.

Shërbimi thekson se slogani “nga lumi deri në det” “nuk përbën domosdoshmërisht thirrje për luftë të armatosur kundër Izraelit”, por se “mund të interpretohet edhe si thirrje për eliminimin e shtetit të Izraelit”.

Thirrjen “Baby killer Israel” (“Izraeli vrasës i fëmijëve”) BfV e përshkruan si “slogan të bazuar në teori antisemite konspirative dhe në rikthimin e akuzave mesjetare për vrasje rituale”.

Sipas BfV-së, ndalesat dhe kufizimet e tubimeve në Gjermani shpesh anashkalohen përmes shfaqjes së simboleve të ndaluara dhe mesazheve anti-izraelite apo antisemite. Po ashtu thuhet se atmosfera agresive në protesta shpesh kalon në përplasje fizike, ndërsa jashtë demonstratave regjistrohen dëmtime të pronës, kryesisht përmes grafiteve me përmbajtje anti-izraelite.

Njëkohësisht është publikuar edhe një dokument prej 80 faqesh me titull “Mesazhe të fshehura, kode dhe shifra antisemitike”, i dedikuar mësuesve, edukatorëve dhe qytetarëve. Në të, BfV paralajmëron se mesazhet e koduara mund të normalizojnë gradualisht antisemitizmin, të nxisin dehumanizimin dhe në fund të krijojnë terren për dhunë të drejtpërdrejtë.

Kategoritë
BotaLajme