Gjermani/ Mbi 9300 të mitur mund të jenë abuzuar seksualisht në Kishën Protestante

Deri në 9,355 të mitur mund të jenë abuzuar seksualisht brenda Kishës Protestante të Gjermanisë, sipas një vlerësimi të publikuar këtë të enjte në fillimin e një raporti të paraqitur nga studiuesit në Hanover.

Sipas këtij raporti, u arrit të numëroheshin 2225 raste të abuzimit seksual, në të cilat ishin përfshirë 1259 autorë. Studiuesit theksojnë, megjithatë, se kjo është vetëm maja e ajsbergut, sepse ata nuk ishin në gjendje të studionin të gjitha dosjet.

Harald Dresing, një studiues në Institutin Qendror për Shëndetin Mendor në Mannheim, vlerëson se numri i autorëve mund të jetë deri në 3500.

Raporti prej 800 faqesh u hartua me kërkesë të Kishës Protestante. Në hulumtim morën pjesë ekspertë nga universitete dhe institute të ndryshme.

Sipas Dresingut, Kisha Protestante në Gjermani nuk u përgjigj aq mirë sa Kisha Katolike në hetimin e abuzimit seksual të të miturve, të cilin ai megjithatë e kritikoi ashpër. “Duke krahasuar të dy institucionet, Kisha Protestante nuk bëri po aq mirë”, tha Dresing në konferencën për shtyp që dha, duke theksuar se dokumentet e kërkuara nuk u janë dhënë hetuesve.

Në Kishën Katolike të Gjermanisë, një studim universitar i publikuar në vitin 2018, pretendonte abuzim seksual të 3,677 fëmijëve nga anëtarët e klerit midis viteve 1946-2014. Ashtu si me Kishën Protestante, numri aktual i viktimave besohet të jetë shumë më i lartë sepse studiuesit nuk kanë pasur akses në të gjitha të dhënat.

Kategoritë
BotaLajme