Drejtori i Televizionit të Kosovës, Rilind Gërvalla edhe njëherë u ka bërë thirrje institucioneve të Kosovës, në veçanti Ministrisë së Financave, që të trajtojë me përgjegjësi gjendjen në RTK, për të zgjidhur çështjen e financimit të televizionit publik.
Ai thotë se përkundër kërkesave të vazhdueshme, mjetet e nevojshme për pagat e punëtorëve për këtë muaj nuk janë alokuar. Ky është një sinjal shqetësues për trajtimin që po i bëhet një prej institucioneve kyçe të demokracisë, deklaron Gërvalla.
“Kërkoj nga institucionet përkatëse, në veçanti nga Ministria e Financave në detyrë, që ta trajtojnë me përgjegjësi këtë çështje dhe të ndërmarrin hapa konkretë për zgjidhjen e menjëhershme të problemit të financimit. Besojmë se bashkë mund të gjejmë zgjidhje që e ruajnë dinjitetin e punëtorëve dhe pavarësinë e RTK-së, si vlera themelore për një shtet demokratik. Zgjidhje të drejtë e me vizion, për zhvillim e përparim”, ka shkruar Gërvalla në rrjetin social facebook.
Ai gjithashtu kundërshton thirrjet subjektive nga individ e liderë politikë që RTK të mbyllet.
“Zërat që kërkojnë mbylljen e RTK-së nuk ia duan të mirën as vendit e as pushtetit që ka përgjegjësi institucionale ndaj Transmetuesit Publik. Në vend se të bashkëpunohet me RTK për të rritur potencialin e saj programor, po mbizotëron logjika neoliberale e tipit të personazhit të Çajupit, dr. Adhamudhit, “i cili thoshte – kur të dhemb dora, preje”, citon ai,
Gërvalla thotë se RTK po përballet me sfida serioze për shkak të mungesës së vazhdueshme të përkrahjes institucionale. Ai rithekson se RTK është e vetmja media që ka për synim primar edukimin e informimin e publikut.
“Mediat publike janë institucion i rëndësishëm i vendeve të Bashkimit Evropian, e dështimi i tyre na largon nga Evropa. Çfarë na afron me Evropën do të ishte bashkëpunimi për të reformuar e përmirësuar, për të tejkaluar defektet e trashëguara që nuk janë tipar vetëm i RTK-së por gati se i çdo institucioni publik. Ne e kuptojmë inatin e politikanëve të caktuar, e kuptojmë edhe optikën që kanë për RTK-në mbështetur nga argumentet e së kaluarës, por i kuptojmë drejtë edhe sfidat e shumta të vendit sidomos atë të sigurisë kombëtare në prag të zgjedhjeve”, deklaroi Gërvalla.
Bashkëpunimi me RTK-në nuk është shpenzim, por investim në transparencë, llogaridhënie dhe zhvillim shoqëror, thotë më tej ai.
“Është edhe detyrë, për qeverinë. Mungesa e përkrahjes financiare për transmetuesin publik, përveç se rrezikon mirëqenien e qindra familjeve të punonjësve, dërgon gjithashtu një mesazh jo të mirë për shërbimet publike”, thotë mes tjerash drejtori i TV-së.