Amina Omid thotë se kur flitet për Afganistanin dhe atë çfarë po ndodhë atje gjëja e parë që ndjejnë është mërzi, shqetësim, derisa situata po përkeqësohet çdo ditë e më shumë.
Gazetarët afganë Amina Omid, Ahmad Shaker Sangi, Nimatullah Gholami dhe Rafiullah Nikzad, për shkak të përndjekjes dhe rrethanave të vështira për të jetuar dhe për të ushtruar profesionin e tyre, kanë filluar jetën në Kosovë.
Më 31 janar, ata arritën në Prishtinë në kuadër të programit “Gazetarët në Rezidencë – Kosovë”, i cili zbatohet edhe nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK).
Gazetarja Amina Omid nga Kabuli, një pjesë e familjes së të cilës vazhdon të jetojë në Kabul, tha se talebanët dëshirojnë një shtet puro-Islamik dhe për këtë janë në gjendje të bëjnë çmos duke shtypur edhe të drejtat elementare të njerëzve.
Ajo thotë se kur flitet për Afganistanin dhe atë çfarë po ndodhë atje gjëja e parë që ndjejnë është mërzi, shqetësim, derisa situata po përkeqësohet çdo ditë e më shumë përfshirë edhe faktin që atje më nuk funksionon media e lirë dhe nuk ka liri të fjalës.
Amina thotë se për gratë është gjithçka e mbyllur në Afganistan dhe ato nuk lejohen që të dalin jasht, nuk lejohen të udhëtojnë nga një provincë në tjetrën dhe nuk lejohen as të bëjnë pazaret e nevojshme.
“Gjëja më e tmerrshme që më ka ndodhur mua dhe kolegëve të mi madje edhe familjes time është kur talebanët morën fuqinë dhe një javë më vonë ata morën zyrën time të medias në një provincë të Kabulit. Unë raportova për këtë, shkrova që talebanët morën zyrën time e cila është ende nën kontrollin e tyre dhe po e shfrytëzojnë si bazë ushtarake. Në artikull shkrova që kjo është kundër çdo të drejte dhe talebanët duhet ta kthejnë këtë zyrë. Talebanët në të njëjtën ditë më dërguan një letër ku më caktuan një ditë që të shkoja në zyrën e tyre dhe t’u përgjigjesha disa pyetjeve të tyre”, theksoi Amina, e cila tha se e injoroi këtë thirrje, ngase do të mund të përfundonte e arrestuar dhe në burg.
Duke folur rreth përshtypjeve të para në Prishtinë, Amina thotë se po mësohet me vendin, derisa thotë se një ditë ëndërron që të kthehet në vendlindjen e saj, në një Afganistan të lirë dhe në demokraci.
“Në situatën aktuale, mendoj se është shumë e rëndësishme për t’u bërë një dritë në mes të errësirës në Afganistan dhe të bëhesh zëri pozitiv në mes të heshtjes në Afganistan”, thotë gazetarja afgane për Anadolu.
– “Për shkak sjelljes së talebanëve, gjithë njerëzit po vuajnë”
Gazetari Ahmad Shaker Sangi thotë se talebanët vendosën rregulla të veçanta me marrjen e pushtetit, duke hequr gjithë profesionistët nga pozitat e tyre me arsyetimin se Afganistani nën pushtetin e talebanëve nuk ka nevojë për dijen dhe eksperiencën e tyre por u duhen vetëm personat që luftojnë në krahun e tyre duke zëvendësuar profesorët e universiteteve me mësues fetarë.

Ahmad thotë se pushteti i talebanëve kundërshton teknologjinë dhe çfarëdo zhvillimi.
“Për shkak të kësaj sjelljeje të talebanëve gjithë njerëzit po vuajnë sepse humbën punët e tyre dhe po vuajnë nga uria dhe papunësia dhe nuk ka ndonjë mundësi për ta në Afganistan dhe gjithashtu nuk ka media që do të mund t’i shfaqte këto vuajtje të shkaktuara nga talebanët”, tha Ahmed.
Ahmad tha se edhe ai njëjtë sikurse kolegia Amina ka pasur probleme me talebanët për shkak të profesionit të tij prej gazetari, ku është përndjekur nga talebanët ndërsa ka përdorur metoda të ndryshme, si ndërrimi i numrit të celularit, për ta shmangur arrestimin eventual nga ta.
Tani, Ahmad thotë se ka filluar të mësohet me jetën në Kosovë dhe po krijon shoqëri të re.
“Ne ishim gazetarë në Afganistan dhe dëshirojmë ta ruajmë ndjenjën e të qenit gazetarë edhe në vijim, të punojmë, të mbesim me energji sa jemi këtu. Por, po ashtu mbesim të shqetësuar për familjet tona që lam në Afganistan duke ëndërruar që një ditë vendi ynë të kthehet në një vend normal demokratik”, theksoi Ahmad për Anadolu.

Qeveria e Kosovës më 28 dhjetor të vitit 2022 miratoi buxhet prej 30 mijë eurosh për strehimin e 5 gazetarëve afganë. Ndërsa ditëve të ardhshme pritet që katër gazetarëve afganë t’u bashkëngjitet edhe një gazetare.
Qeveria tha se gazetarët nga Afganistani do të mund të qëndrojnë në Kosovë për dy vjet.
Ekonomia e Afganistanit u godit rëndë sepse ndihma financiare ndërkombëtare u ndërpre pas ardhjes së talebanëve në pushtet në Afganistan më 15 gusht 2021. Gratë dhe vajzat u privuan nga shumë të drejta, përfshirë arsimin. Në këtë proces, mijëra gra humbën punën e tyre në institucionet e shtetit dhe sektorin privat.



















