Në panelin e organizuar nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës me rastin e Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, me temën “Mbrojtja e Gazetarëve dhe Avancimi i Barazisë Gjinore në Media”, avokati Yll Zekaj dhe kryeprokurori Agron Bajrami theksuan nevojën për mbrojtje më të fuqishme ligjore dhe institucionale të gazetarëve.
Zekaj tha se sulmet ndaj gazetarëve janë sulme ndaj ushtrimit të profesionit dhe jo thjesht ndaj qytetarëve, raporton Ekonomia Online.
Ai kritikoi trajtimin e ngadaltë të padive dhe rastet e parashkruara që, sipas tij, dekurajojnë gazetarët.
“Duhet të trajtohen këto çështje me prioritet, pasi sulmi ndaj gazetarëve nuk është sulm ndaj tyre si qytetarë, por si ushtrues të detyrës së tyre. Kur flasim për sigurinë e gazetarëve, nuk flasim vetëm për sigurinë fizike, por edhe atë juridike. Shihen këto padi që kanë formë, por nuk kanë përmbajtje që do të dëshmonte një shpifje apo fyerje ndaj gazetarit. Nëse një padi nuk trajtohet për katër vite, atëherë gazetarët dekurajohen për ta ushtruar profesionin. Edhe KGJK duhet t’i trajtojë me seriozitet këto raste. Jemi dëshmitarë që në të kaluarën gazetarët janë sulmuar dhe kërcënuar, e rastet e tyre janë parashkruar. Një trajtim i tillë i dëshpëron gazetarët. AGK ka qenë shumë aktive në inkurajimin e gazetarëve për të raportuar raste të tilla. Nëse i shohim rrjetet sociale në kohën e raportimeve, shohim se çfarë sulmesh të pandërprera janë bërë ndaj gazetarëve”, tha ai.
Agron Bajrami, kryeprokuror i Prokurorisë Themelore, tha se Kodi i ri Procedural Penal ofron mundësi që gazetarët të ankohen nëse rastet e tyre nuk trajtohen brenda një muaji.
“Tashmë, me dispozitat e reja të Kodit Procedural, në rast se një kallëzim penal nuk trajtohet brenda një muaji, secili gazetar mund të paraqesë ankesë. Nëse konstatohet se ka pasur dështim, ne marrim masa të caktuara. Nuk duhet harruar se kërcënimet ndodhin edhe përmes aplikacioneve dhe formave të tjera. Sa i përket bashkëpunimit ndërmjet policisë dhe prokurorisë, ky thellim mund të ndodhë përmes një besimi të ndërsjellë. Përmes kontakteve të vazhdueshme, kur gazetarët janë të dëmtuar, ne jemi të gatshëm për bashkëpunim në mënyrë që të krijojmë një ambient sa më të sigurt për punën e tyre”, theksoi ai.
Gazetarja Dorentina Thaqi foli për rastin e fundit, ku një gazetar është penguar nga sigurimi i kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
Ajo theksoi se raste të tilla gazetarët i përjetojnë çdo ditë në terren.
“Rasti i kolegut e sqaroi më së miri situatën me të cilën përballemi çdo ditë. Mua më ka ndodhur shpesh që të pres Kryeministrin Kurti, por po e shohim një mungesë të madhe të transparencës – jo vetëm nga qeveria, por edhe nga shumë ministri. Kjo po na shkakton probleme, sepse informacioni është i mangët dhe nuk ka përgjigje”, tha Thaqi.