Shpërndarja e vakteve të ngrohta tërheq turma të mëdha, përfshirë shumë fëmijë, të cilët presin në radhë nën diellin përvëlues për atë që për shumë njerëz do të ishte vakti i tyre i vetëm i ditës
Teksa uria po përkeqësohet në Rripin e Gazës nën bllokadën çnjerëzore të Izraelit dhe sulmet e pamëshirshme gjenocidale, organizatat bamirëse në enklavë përpiqen të shpërndajnë vakte të ngrohta, raporton Anadolu.
Shpërndarja e vakteve të ngrohta tërheq turma të mëdha, përfshirë shumë fëmijë, të cilët presin në radhë nën diellin përvëlues për atë që për shumë njerëz do të ishte vakti i tyre i vetëm i ditës.
Kriza e urisë është shndërruar në një katastrofë humanitare në shkallë të plotë. Zyra për media e qeverisë në Gaza raporton se 1.2 milionë fëmijë përballen me “pasiguri të rëndë ushqimore” dhe të paktën 239 palestinezë, përfshirë 106 fëmijë, kanë vdekur nga uria që nga tetori i vitit 2023.
Kriza u thellua më 2 mars, kur Izraeli mbylli të gjitha kalimet në enklavë, duke bllokuar ndihmën humanitare pavarësisht kamionëve të ndihmës që prisnin në kufi. Ajo pak ndihmë që lejohet është shumë më pak se nevojat e popullsisë.
Mbi 2 milionë palestinezë gjithashtu janë zhvendosur për gati 2 vjet, të ngjeshur në strehimore dhe tenda ku sëmundjet përhapen shpejt.
Duke hedhur poshtë thirrjet ndërkombëtare, ushtria izraelite ka vazhduar gjenocidin e saj në Gaza që nga tetori i viti 2023, duke vrarë të paktën 61.800 palestinezë. Fushata ushtarake e ka shkatërruar enklavën dhe e ka çuar atë në prag të urisë.
Nëntorin e vitit të kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhërarreste ndaj kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli gjithashtu përballet me një padi gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën në enklavën palestineze.