Qindra njerëz të të gjitha moshave po përballen me uri të rëndë dhe kequshqyerje në spitalet në Rripin e Gazës
Një tjetër fëmijë vdes nga uria në Rripin e Gazës, ku Izraeli ka kufizuar hyrjen e ndihmës humanitare dhe ka shkaktuar një katastrofë humanitare, transmeton Anadolu.
Sipas agjencisë zyrtare palestineze të lajmeve WAFA, e cila citon burime në Spitalin e Martirëve Al-Aksa në Rripin e Gazës, 4-vjeçarja Rezzan Abu Zahir vdiq si pasojë e ndërlikimeve nga kequshqyerja dhe uria.
Në lajm thuhet se qindra njerëz të të gjitha moshave po përballen me uri të rëndë dhe kequshqyerje në spitalet në Rripin e Gazës.
– 17.000 fëmijë në Gaza vuajnë nga kequshqyerja e rëndë
Bëhet e ditur se 17.000 fëmijë në Gaza vuajnë nga kequshqyerje e rëndë dhe pacientët po trajtohen për stres dhe humbje të kujtesës të shkaktuar nga uria e madhe.
Theksohet se spitalet nuk kanë shtretër dhe ilaçe të mjaftueshme për shumë pacientë që vuajnë nga kequshqyerja kronike.
Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Ndihmë dhe Punë për Refugjatët Palestinezë në Lindjen e Afërt (UNRWA) ka paralajmëruar se kequshqyerja tek fëmijët nën pesë vjeç është dyfishuar midis marsit dhe qershorit për shkak të bllokadës izraelite ndaj Rripit të Gazës.
Izraeli ka bllokuar ndihmën mjekësore dhe humanitare që të hyjë në Rripin e Gazës duke mbyllur pikat kufitare që nga marsi. Izraeli, i cili ka vazhduar sulmet e tij në Rripin e Gazës që nga 7 tetori 2023, po shkakton një katastrofë të madhe humanitare në rajon me politikën e tij të “urisë”.