Gaza në prag të urisë nën bllokadën mbytëse të Izraelit

Edhe pse Izraeli mohon se ka shënjestruar civilët, video të shumta tregojnë se forcat izraelite qëllojnë banorët e Gazës që po përpiqen për të marrë ndihma

Palestinezët në Gaza janë në prag të urisë nën bllokadën mbytëse të Izraelit​​​​​​​, raporton Anadolu.

Në një video të publikuar nga ushtria izraelite, dëgjohen ushtarë duke thënë: “Mos hapni zjarr. Askush nuk lejohet të qëllojë”.

Edhe pse Izraeli mohon se ka shënjestruar civilët, video të shumta tregojnë se forcat izraelite qëllojnë banorët e Gazës që po përpiqen për të marrë ndihma.

Sipas UNWRA-s, uria ka vrarë 86 banorë të Gazës, përfshirë 76 fëmijë, që nga tetori i vitit 2023, ndërsa 17.000 fëmijë në Gaza përballen me kequshqyerje të rëndë.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, të paktën 18 persona kanë vdekur nga uria vetëm gjatë 24 orëve të fundit, duke nxjerrë në pah katastrofën humanitare në përshkallëzim, ndërsa bombardimet dhe privimet e pamëshirshme po i shtyjnë civilët përtej pragut të greminës.

Izraeli ka vrarë mbi 59.000 palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, në Rripin e Gazës që nga tetori i vitit 2023. Fushata ushtarake ka shkatërruar enklavën, ka shembur sistemin shëndetësor dhe ka çuar në mungesa të mëdha ushqimore.

Në nëntorin e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhërarreste për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e tij të Mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.

Izraeli përballet gjithashtu me një padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën e tij në enklavë.

Kategoritë
BotaLajme