Gaza, foshnjat përpiqen të mbijetojnë nën bllokadën izraelite

– Kriza e urisë në Gaza është përshkallëzuar në një katastrofë të plotë humanitare, me imazhe të tmerrshme që tregojnë banorë të dobësuar në gjendje të rëndë që janë rraskapitur nga lodhja dhe uria.

Foshnjat e porsalindura në Rripin e Gazës po luftojnë për mbijetesë mes ofensivës dhe bllokadës ushtarake të vazhdueshme të Izraelit, me spitalet që përpiqen të ofrojnë kujdesin bazë për shkak të mungesave të mëdha të formulës dhe ilaçeve për foshnjat, raporton Anadolu.

Në spitalin “Nasser” në Khan Younis, stafi mjekësor thotë se foshnjat zhvillojnë skuqje dhe ënjtje nga nxehtësia ekstreme ndërsa mungesa e energjisë dhe infrastruktura e dëmtuar i lënë objektet pa ventilim ose ftohje të duhur.

Kriza e urisë në Gaza është përshkallëzuar në një katastrofë të plotë humanitare, me imazhe të tmerrshme që tregojnë banorë të dobësuar në gjendje të rëndë që janë rraskapitur nga lodhja dhe uria. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës, të paktën 147 persona, përfshirë 88 fëmijë, kanë vdekur nga uria që nga tetori 2023.

Izraeli, i cili ka vazhduar bllokadën ndaj Gazës për 18 vjet, mbylli të gjitha kalimet më 2 mars, duke ndërprerë shpërndarjen e ndihmës pavarësisht thirrjeve ndërkombëtare. Shpërndarja e kufizuar e ndihmës rifilloi në fund të majit përmes Fondacionit Humanitar të Gazës, megjithëse qasja mbetet shumë e kufizuar.

Që nga 7 tetori 2023, fushata ushtarake e Izraelit ka vrarë mbi 60 mijë palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, sipas autoriteteve lokale shëndetësore. Përpjekjet për armëpushim kanë ngecur ndërsa Izraeli vazhdon ofensivën e tij.

Në nëntor 2023, Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP) lëshoi urdhër-arreste për kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e Mbrojtjes, Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.

Ndërkohë, Izraeli përballet me një padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), të ngritur nga Afrika e Jugut për veprimet e ushtrisë izraelite në enklavë.

Kategoritë
BotaLajme