Gati 50 ushtarë izraelitë kanë kryer vetëvrasje që nga fillimi i luftës në Gaza

Qindra ushtarë me lëndime psikologjike pranohen në divizionin e rehabilitimit të ushtrisë për çdo muaj, shumë prej të cilëve vuajnë nga çrregullimi i stresit post-traumatik (PTSD) pas operacioneve luftarake në Gaza

Gati 50 ushtarë izraelitë kanë kryer vetëvrasje që nga shpërthimi i luftës në Gaza në tetor të vitit 2023, transmeton Anadolu.

E përditshmja Haaretz tha se 17 ushtarë kryen vetëvrasje këtë vit, 24 në vitin 2024 dhe 17 në vitin 2023, përfshirë shtatë pas luftës në Gaza.

Gazeta izraelite përmendi një mungesë të madhe të profesionistëve ushtarakë të shëndetit mendor, përfshirë psikiatër, psikolog dhe punonjës social, si një faktor kontribues në këto shifra të vetëvrasjes.

Gazeta theksoi dështimet sistematike në aftësinë e ushtrisë për të mbështetur ushtarët e liruar nga shërbimi, rezervistët dhe personelin në njësi traumatike, veçanërisht ata të përfshirë në identifikimin e ushtarëve të rënë.

Sipas gazetës, qindra ushtarë me lëndime psikologjike pranohen në divizionin e rehabilitimit të ushtrisë për çdo muaj, shumë prej të cilëve vuajnë nga çrregullimi i stresit post-traumatik (PTSD) pas operacioneve luftarake në Gaza.

Të hënën, ushtria izraelite konfirmoi se një ushtar rezervist u gjet i vdekur në shtëpinë e tij në qytetin jugor Ofakim, në atë që zyrtarët e përshkruan si vetëvrasje. Ushtari kishte shërbyer në një njësi përgjegjëse për identifikimin e mbetjeve të ushtarëve të rënë.

Sipas të dhënave ushtarake, 898 ushtarë izraelitë janë vrarë dhe 6.134 të tjerë janë plagosur që nga fillimi i luftës në Gaza në tetor të vitit 2023. Ndërkohë, ushtria përballet me akuza të brendshme për fshehjen e humbjeve më të mëdha.

Ushtria izraelite vazhdon me ofensivën brutale në Gaza që nga 7 tetori 2023, duke vrarë të paktën 60 mijë palestinezë. Bombardimet e pamëshirshme kanë shkatërruar enklavën dhe kanë çuar në mungesë ushqimi.

Të hënën, grupet izraelite të të drejtave B’Tselem dhe Mjekët për të Drejtat e Njeriut-Izrael akuzuan Izraelin për kryerjen e gjenocidit në Gaza, duke përmendur shkatërrimin sistematik të shoqërisë palestineze dhe çmontimin e qëllimshëm të sistemit të kujdesit shëndetësor të territorit.

Nëntorin e vitit të kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhërarreste ndaj kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.

Izraeli gjithashtu përballet me një padi gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën në enklavën palestineze.

Kategoritë
BotaLajme