Ministri i Jashtëm francez Jean-Noel Barrot denoncoi sulmet ndaj civilëve në Gaza dhe kërkoi armëpushim dhe përpjekje të reja për zgjidhjen me dy shtete
Ministri i Jashtëm i Francës dënoi sulmet ndaj civilëve në Gaza, veçanërisht ndaj atyre që kërkojnë ndihma ushqimore, duke i quajtur këto sulme “të papranueshme”, raporton Anadolu.
“Tetëdhjetë vjet pas krijimit të Kombeve të Bashkuara, nuk mund të pranojmë që civilët, gratë dhe fëmijët të jenë shënjestër kur shkojnë në vendet ku shpërndahen ndihmat ushqimore. Kjo është e papranueshme”, tha Jean-Noel Barrot në një konferencë ndërkombëtare të nivelit të lartë mbi konfliktin izraelito-palestinez në selinë e OKB-së në New York.
Barrot foli përkrah homologut të tij saudit në hapje të konferencës ndërkombëtare që synon të avancojë zgjidhjen paqësore të çështjes palestineze dhe zbatimin e zgjidhjes me dy shtete.
Ai theksoi se pjesëmarrja e madhe tregon për një konsensus në rritje brenda bashkësisë ndërkombëtare për t’i dhënë fund luftës në Gaza dhe për të hapur një rrugë politike përpara.
“Kjo konferencë duhet të jetë një pikë kthese dhe një moment transformues”, tha Barrot.
“Duhet të punojmë për mënyrat dhe mjetet që do të na çojnë nga përfundimi i luftës në Gaza në përfundimin e konfliktit izraelito-palestinez”, shtoi ai.
Ai përsëriti se vetëm një zgjidhje politike me dy shtete mund të përmbushë aspiratat legjitime të palestinezëve dhe izraelitëve për të jetuar në paqe dhe siguri.
“Përballë përshpejtimit të paprecedent të politikës së ndërtimit të vendbanimeve kolone izraelite në Bregun Perëndimor, perspektiva për një shtet palestinez të qëndrueshëm duhet të ruhet nëpërmjet zbatimit të masave konkrete”, apeloi ai.
Për të mbështetur përpjekjet diplomatike, Barrot theksoi rëndësinë e punës së tetë grupeve ndërkombëtare të punës të krijuara në kuadër të konferencës.
Detyra e tyre, sipas tij, është të identifikojnë kontribute konkrete në fusha politike, të sigurisë, ekonomike dhe humanitare për ta bërë realitet zgjidhjen me dy shtete.
“Kjo luftë ka zgjatur shumë dhe duhet të marrë fund”, tha Barrot.
“Armët duhet të heshtin dhe të hapet rruga për një armëpushim të menjëhershëm dhe të qëndrueshëm. Vuajtjet e civilëve në Gaza duhet të ndalojnë”, theksoi ai.