Franca do ta njohë shtetin e Palestinës – çfarë qëndrimi po mbajnë Gjermania dhe Italia?

Qeveria gjermane ka deklaruar se nuk ka plane për të njohur një shtet palestinez në të ardhmen e afërt, duke theksuar se fokusi i saj mbetet arritja e një zgjidhjeje të qëndrueshme me dy shtete për konfliktin izraelito-palestinez.

Zëdhënësi i qeverisë gjermane tha se “siguria e Izraelit është me rëndësi parësore për qeverinë gjermane”, duke shtuar se aktualisht nuk është planifikuar ndonjë hap konkret për njohjen e Palestinës si shtet i pavarur, raporton timesofisrael.

Kjo deklaratë vjen në një moment të ndjeshëm diplomatik, një ditë pasi Franca njoftoi se do të njohë shtetin palestinez në muajin shtator – vendim që ka shkaktuar reagime të ashpra nga ana e Izraelit.

Ndërkohë, Ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani, gjatë një takimi të partisë së tij “Forza Italia” në Romë, theksoi se çdo njohje e shtetit palestinez duhet të shoqërohet me njohjen e Izraelit nga ana e këtij entiteti të ri.

“Një shtet palestinez që nuk e njeh Izraelin do të thotë se problemi nuk do të zgjidhet,” tha Tajani, duke nënvizuar se pa njohje reciproke, paqja në rajon mbetet e pamundur.

Lëvizjet diplomatike të vendeve evropiane për çështjen palestineze po intensifikohen, ndërsa tensionet në Lindjen e Mesme vazhdojnë të jenë të larta.

Kategoritë
BotaLajme