Fotoreporterja dha dorëheqje nga Reuters: Akuzoi agjencinë për neglizhencë ndaj gazetarëve të vrarë në Rripin e Gazës

Fotoreporterja kanadeze Valerie Zink dha dorëheqjen nga agjencia ndërkombëtare e lajmeve Reuters pas tetë vitesh, duke i akuzuar ata për neglizhencë ndaj gazetarëve të vrarë në Rripin e Gazës dhe për “tradhti ndaj gazetarëve”.

Ajo kritikoi mënyrën e raportimit të Reuters pas vrasjes së Anas al-Sharifit dhe ekipit të Al Jazeera-s në Gaza, duke akuzuar agjencinë se ka amplifikuar “pretendimet krejtësisht të pabazuara të Izraelit” se Al-Sharif ishte anëtar i Hamasit.

“Nuk mund të vazhdoj me ndërgjegje të pastër të punoj për Reuters duke pasur parasysh tradhtinë e tyre ndaj gazetarëve në Gaza dhe bashkëpërgjegjësinë për vrasjen e 245 kolegëve tanë,” tha Valerie.

Në platformën X, ajo publikoi kartelën e saj të akreditimit, të cilën e grisi, duke theksuar kështu ndërprerjen e bashkëpunimit me Reuters, agjenci që sipas saj – ashtu si shumica e mediave perëndimore – është nënshtruar ndaj presioneve propagandistike izraelite.

“E kam vlerësuar punën që i kam sjellë Reutersit gjatë tetë viteve të fundit, por në këtë moment nuk mund ta imagjinoj të mbaj këtë akreditim me diçka tjetër përveç turpit dhe trishtimit të thellë,” shkroi Zink.

Kategoritë
BotaLajme