Forcat izraelite zbarkuan në një ish-bazë të mbrojtjes ajrore në Sirinë jugore të mërkurën gjatë një serie sulmesh ajrore në zonë – operacioni i tyre më i largët i këtij lloji brenda Sirisë që nga rrëzimi i Bashar al-Assad dhjetorin e kaluar.
Baza ajrore, e vendosur pranë qytetit al-Kiswah, rreth 10 kilometra në jug të Damaskut, më parë ishte një bazë strategjike për milicitë iraniane gjatë sundimit të Asadit, shkruan The Guardian, përcjell Telegrafi.
Media shtetërore siriane raportoi se ushtria izraelite kishte kryer sulme në të njëjtën zonë një ditë më parë, duke vrarë gjashtë ushtarë sirianë që kishin gjetur pajisje izraelite përgjimi dhe spiunimi atje.
Ushtarët ishin në proces çmontimi të pajisjeve kur u vranë, thanë mediat shtetërore.
Aeroplanët luftarakë dhe dronët izraelitë i penguan forcat siriane të hynin në zonë deri vonë të mërkurën në mbrëmje, pasi forcat izraelite ishin larguar nga vendi.
Nuk ishte e qartë se çfarë bënë ushtarët izraelitë në bazë.
Ministri izraelit i mbrojtjes, Israel Katz, postoi në X se forcat “po vepronin në të gjitha zonat e luftimit ditë e natë për sigurinë e Izraelit”, por përndryshe nuk ofroi asnjë shpjegim.
E Ministria e Jashtme siriane i dënoi sulmet, duke i quajtur ato një shkelje të së drejtës ndërkombëtare dhe një shkelje të sovranitetit të vendit.
Izraeli kreu dhjetëra sulme në depot e armëve dhe bazat ushtarake pas rrëzimit të Asadit në dhjetor të vitit të kaluar.
Ai gjithashtu hyri në zonën tampon të patrulluar nga OKB-ja që ndante dy vendet dhe krijoi baza ushtarake atje.
Izraeli e ka paralajmëruar qeverinë e re siriane, të udhëhequr nga Ahmed al-Sharaa, një ish-udhëheqës i grupeve rebele islamike, se nuk do ta lejojë atë të vendosë forca në Sirinë jugore.
Sulmet izraelite në Siri pothuajse u ndalën pasi presidenti amerikan, Donald Trump, e paralajmëroi Izraelin të “jetë i arsyeshëm” në Siri, derisa shpërthyen përleshjet sektare në zonat me shumicë druze në Sirinë jugore në qershor. Izraeli goditi ministrinë e mbrojtjes në Damask dhe bombardoi trupat siriane në atë që e quajti një përpjekje për të mbrojtur popullsinë druze të Sirisë.
Bombardimet e së mërkurës ndodhën pavarësisht bisedimeve të nivelit të lartë të sigurisë që po zhvilloheshin midis zyrtarëve sirianë dhe izraelitë. Zyrtarë nga të dy vendet u takuan në Paris, së bashku me të dërguarin special të SHBA-së për Sirinë, Tom Barrack, në fillim të këtij muaji.