Forcat izraelite rikonfirmuan se palestinezëve u është ndaluar hyrja në det përgjatë të gjithë bregut të Rripit të Gazës, kufizim që është në fuqi që nga fillimi i luftës më 7 tetor 2023.
“Ju kujtojmë se në zonën detare pranë Rripit të Gazës janë vendosur masa të rrepta sigurie, dhe hyrja në det është e ndaluar,” – tha koloneli Avichay Adraee, zëdhënës i ushtrisë izraelite që flet arabisht, në një postim në X.
Ai theksoi se forcat izraelite do të reagojnë ndaj “çdo shkeljeje të këtyre kufizimeve.”
“I bëjmë thirrje peshkatarëve, notuesve dhe zhytësve të heqin dorë nga hyrja në det. Hyrja në det përgjatë Rripit ju ekspozon rrezikut,” – shtoi ai në kërcënim.
Shumica dërrmuese e popullsisë palestineze në Gaza jeton në zonat bregdetare, ku kanë ngritur kampet e tyre me çadra pikërisht në plazhe.
Në luftën genocidiale të Izraelit në Rripin e Gazës janë vrarë mbi 57,000 veta, janë plagosur qindra mijëra, dhe janë dëbuar pothuajse të gjithë banorët nga shtëpitë e tyre.
Për shkak të urit, disa nga banorët kanë tentuar të dalin në det për peshkim, por këto përpjekje shpesh janë shoqëruar me vrasje e plagosje peshkatarësh nga forcat izraelite.