Avionin presidencial Air Force One Boeing C-32A, gjatë fluturimit drejt Alaskës, po e ndiqnin 12.300 persona në aplikacionin Flight Radar, gjë që tregon interesin global për rezultatin e takimit mes dy presidentëve.
Avioni i Trump-it u nis nga baza ajrore amerikane Andrews, duke pasur në bord delegacionin e udhëhequr nga Sekretari i Shtetit Marco Rubio.
Përveç Rubios, delegacionin amerikan e përbëjnë ministri i financave Scott Bessent, ministri i tregtisë Howard Lutnick, i dërguari i posaçëm Steve Witkoff, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Karoline Leavitt, drejtori i CIA-s John Ratcliffe, shefja e kabinetit Susie Wiles dhe zëvendësi i saj Dan Scavino.
Air Force One është i pajisur për të fluturuar edhe në kushte të një lufte bërthamore, me elektronikë të veçantë, komunikime të sigurta dhe mundësinë e furnizimit me karburant në ajër.
Brenda avionit gjenden zyra presidenciale, sallë takimesh, repart mjekësor dhe hapësirë për rreth 70 pasagjerë si dhe mbi 20 anëtarë të ekuipazhit.
Avioni mund të arrijë shpejtësi deri në 1.000 km/h dhe ka një autonomi fluturimi rreth 12.600 km pa furnizim shtesë me karburant. Çdo fluturim koordinohet me kujdes nga shërbimet sekrete dhe ushtria, ndërsa rruga dhe orari i saktë mbeten të dhëna të mbrojtura rreptësisht.