Presidenti i përkohshëm i Sirisë, Ahmed al-Sharaa, deklaroi të Enjten se mbrojtja e qytetarëve Druzë dhe e të drejtave të tyre është “prioriteti i parë”, ndërsa Izraeli ka premtuar të shkatërrojë forcat qeveritare siriane që sulmojnë Druzet në jug të Sirisë.
Në fjalimin e tij të parë televiziv pas sulmeve të fuqishme ajrore izraelite mbi Damaskun të Mërkurën, Sharaa iu drejtua komunitetit Druzë, duke thënë se “refuzon çdo përpjekje për t’i futur ata në duart e aktorëve të jashtëm”.
“Ne nuk jemi nga ata që frikësohen nga lufta. Gjatë gjithë jetës kemi përballuar sfida dhe kemi mbrojtur popullin tonë, por prioritetin e kemi interesin e sirianëve përpara kaosit dhe shkatërrimit.”
Ai shtoi se populli sirian nuk frikohet nga lufta dhe se është gati të luftojë nëse dinjiteti i tij kërcënohet.
Sulmet ajrore izraelite shkatërruan pjesërisht Ministrinë e Mbrojtjes dhe goditën zonën pranë pallatit presidencial. Izraeli paralajmëroi shkatërrimin e forcave qeveritare siriane që sulmojnë Druzet në jug dhe kërkoi tërheqjen e tyre.
Këto sulme përbëjnë një eskalim të rëndësishëm izraelit ndaj administratës së Šaraas, pavarësisht afrimit të tij me SHBA-në dhe kontaktet e ngushta të sigurisë me Izraelin.
Duke i përshkruar udhëheqësit e rinj sirianë si “xhihadistë të fshehur fare pak”, Izraeli theksoi se nuk do të lejojë transferimin e forcave në jug të Sirisë dhe premtoi mbrojtje për komunitetin Druzë, me kërkesë të liderëve Druzë izraelitë.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, njoftoi:
“Kemi kontaktuar me të gjitha palët e përfshira në konfliktet në Siri. Kemi rënë dakord për hapa konkretë që do të përfundojnë këtë situatë të frikshme sonte.”
Këshilli i Sigurimit të OKB-së do të mblidhet të Enjten për të diskutuar konfliktin, thanë diplomatë.
Ambasadori izraelit në OKB, Danny Danon, deklaroi:
“Këshilli duhet të dënojë krimet barbare kundër civilëve të pafajshëm në territorin sirian. Izraeli do të veprojë vendosmërisht kundër çdo kërcënimi terrorist në kufijtë e tij, kudo dhe kurdo.”
Rrjeti sirian i të drejtave të njeriut raportoi 169 të vrarë këtë javë, ndërsa burime sigurie flasin për 300 viktima.
Një zyrtar ushtarak izraelit tha se u godit hyrja e Shtabit të Përgjithshëm ushtarak në Damask dhe një objekt afër pallatit presidencial, dhe se forcat siriane nuk ndërhynë për të mbrojtur Druzet, duke kontribuar në krizë.
“Nuk do të lejojmë që jugu i Sirisë të bëhet bazë terrorizmi,” tha Shefi i Shtabit të Përgjithshëm izraelit, Eyal Zamir.
Druzet, ndjekës të një dege të islamit, jetojnë në Siri, Liban dhe Izrael.
Pas thirrjeve në Izrael për të ndihmuar Druzet sirianë, dhjetëra Druzë izraelitë kaluan muret kufitare Mërkurën për t’u lidhur me bashkëbesimtarët në anën siriane.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se ushtria punon për shpëtimin e Druzëve dhe i bëri thirrje Druzëve izraelitë të mos kalojnë kufirin. Ushtria njoftoi se po organizon kthimin e sigurt të civilëve.
Druzi izraelit Faez Shkeir tha se ndihet i pafuqishëm duke parë dhunën në Siri:
“Familja ime është në Siri. Gruaja ime, xhaxhallarët e mi janë në Suweida. Nuk më pëlqen t’i shoh duke u vrarë, duke u përzënë nga shtëpitë, të plaçkitur dhe djegur, e unë nuk mund të bëj asgjë.”