“Deri më sot kemi sjellë shumë risi në industrinë e automjeteve tokësore dhe do të vazhdojmë kështu. Në fakt, në këtë panair kemi prezantuar për herë të parë tri automjete të reja”, tha Fuat Tosyalı, kryetari i bordit drejtues të BMC-së
Kompania turke e mbrojtjes BMC prezantoi automjete të reja tokësore ushtarake në Panairin Ndërkombëtar të Industrisë së Mbrojtjes (IDEF) 2025 në Stamboll, raporton Anadolu.
“Deri më sot kemi sjellë shumë risi në industrinë e automjeteve tokësore dhe do të vazhdojmë kështu. Në fakt, në këtë panair kemi prezantuar për herë të parë tri automjete të reja”, tha Fuat Tosyalı, kryetari i bordit drejtues të BMC-së.
“Siç e dini, ne jemi kampionët e eksportit në industrinë e mbrojtjes në vendin tonë për automjete tokësore”, tha Tosyalı për Anadolu, duke shtuar: “Kemi kamionë shumë të fuqishëm të tërheqjes nga familjet ‘Turan’ dhe ‘Zeybek’, dhe për herë të parë prezantuam automjetin tonë të pajisur me topin ‘Altug 105 mm'”.
Edicioni i 17-të i këtij panairi gjashtëditor të mbrojtjes, i cili u hap të martën, po mbahet njëkohësisht në Qendrën e Panaireve të Stambollit, Aeroportin Ataturk, hotelin “Wow” dhe Marinën Atakoy.
Ngjarja organizohet nga “KFA Fairs” me mbështetjen e Sekretariatit të Industrisë së Mbrojtjes së Turqisë (SSB) dhe Fondacionit të Forcave të Armatosura Turke, ndërsa Anadolu është partneri global i komunikimit.
Tosyalı gjithashtu tha se prezantuan dy motorë të prodhuar në vend nga “BMC Power”, duke theksuar se për herë të parë u prezantuan dhe filluan të përdoren njësitë e fuqisë për automjetet e marinës dhe obusët “Fırtına”.
– Altay
Tosyalı theksoi se IDEF-i është një mundësi e shkëlqyer për të treguar arritjet e BMC-së në fushën e automjeteve të blinduara të mbrojtjes.
“Sigurisht, projekti më i rëndësishëm dhe më i thellë i BMC-së, që është gjithashtu projekti i shekullit për Turqinë, është projekti i tankut ‘Altay'”, tha ai.
“Tani kemi arritur në fund të projektit ‘Altay’. Shumë shpejt, nuk bëhet më fjalë për muaj, por sipas një programi që do të shpallet nga presidenti ynë, do ta bashkojmë përfundimisht tankun ‘Altay’ me ushtrinë tonë dhe forcat përkatëse, në fabrikën dhe lokacionin e vet për herë të parë”, shtoi ai.
Tosyalı gjithashtu përmendi investimin e fabrikës së BMC-së në Ankara, duke theksuar se po vazhdojnë punën 24 orë në ditë, shtatë ditë në javë.
“Tani kemi arritur në fund të këtij projekti. Kanë mbetur vetëm disa gjëra të vogla, por, siç e thashë, autoritetet tona do ta bëjnë njoftimin e ardhshëm”, tha ai.
“Të gjithë duhet të jenë të sigurt se tani do të shohim realizimin e ëndrrës 100-vjeçare të vendit tonë”, theksoi Tosyalı.
Projekti “Altay” është programi i parë i zhvillimit të tankut të betejës së rëndë në Turqi, i cili përfshin sisteme elektronike të komandës dhe kontrollit, një top 120 mm dhe blindim të avancuar.
Prototipi i tankut “Altay” u prezantua për publikun në një panair mbrojtjeje në Stamboll në vitin 2011.
– Automjetet e reja
Në kuadër të IDEF 2025, BMC-ja do të ekspozojë: “Turan 4×4”, automjet i blinduar për transport mallrash dhe personeli; “Zeybek 8×8”, automjet i blinduar për rikuperim (nxjerrje mjetesh); “Zeybek 8×8”, automjet i blinduar për transport tankesh; “Zeybek 4×4”, automjet taktik me rrota për 5 tonë ngarkesë; “Altug 8×8”, automjet i blinduar luftarak dhe variant për transport personeli.
Të dizajnuara sipas kërkesave të terrenit, këto automjete të reja janë zhvilluar për të përmbushur kushtet aktuale të betejës dhe pritet të tërheqin interes të madh si në tregun vendas, ashtu edhe në atë ndërkombëtar.
“Turan 4×4” bie në sy për lëvizshmërinë e lartë, nivelin e avancuar të mbrojtjes dhe strukturën shumëfunksionale, duke demonstruar performancë të lartë në transportin e personelit dhe të mallrave logjistikë.
“Zeybek 8×8” është zhvilluar për përgjigje të shpejtë dhe të sigurt për të evakuuar automjete të dëmtuara gjatë luftimeve apo nga mina dhe pajisje të improvizuara shpërthyese, nën çdo kusht atmosferik dhe në çdo terren.
“Zeybek 8×8” është dizajnuar për të transportuar në mënyrë të sigurt dhe efikase të gjitha llojet e automjeteve ushtarake, si “Altay”, “M60”, “Leopard”, obusin “Fırtına”, “ZMA”, “ZPT” dhe automjete të ngjashme.
“Zeybek 4×4” me kapacitet 5 tonë është i ndërtuar për të ofruar lëvizshmëri të lartë, qëndrueshmëri dhe fleksibilitet në misione në kushte të vështira terreni dhe moti.
“Altug 8×8” në variantin e tij luftarak dhe për transport personeli ka dëshmuar efektivitetin në fushë me versionet e tij me kullë armësh 35 mm dhe 12,7 mm, ndërsa versioni me kullë me armë 105 mm, “Gjuetari i Tankeve”, po ekspozohet për herë të parë në IDEF 2025 si produkti më i ri i BMC-së.